Kryeministrja finlandeze Sanna Marin ka rezultuar negative në testin e drogës që bëri pas publikimit të një videoje ku shfaqej duke kërecyer e shkujdesur. Lajmin e bëri të ditur zyra e saj.
36-vjeçarja Marin, pranoi të bënte testin të premten për të zbutur shqetësimet që u ngritën në publik për sjelljen e saj. Megjithatë, ajo ka mohuar që të ketë konsumuar ndonjëherë lëndë narkotike dhe mohon të ketë bërë diçka të paligjshme në festë, por e pranoi se alkool kishte pirë.
Në deklaratën e lëshuar, qeveria bën të ditur se testi rezultoi i pastër. Po ashtu më tej shtohej se kryeministrja i ka paguar vetë shpenzimet e testit. Këshilltarja speciale Iida Vallin, e cituar nga agjencia e lajmeve AFP, tha se mostra e urinës së Marin u testua për kokainë, amfetamina, kanabis dhe opioidë.
Dikur kryetarja më e re e një qeverie në botë, një “titull” që aktualisht mbahet nga kryeministri në detyrë malazez Dritan Abazoviç, Marin nuk e fsheh pasionin e saj për të festuar e kërcyer dhe shpesh është fotografuar në festivale muzikore.
Vitin e kaluar ajo kërkoi falje që shkoi në klub pasi ra në kontakt të ngushtë me një rast pozitiv për Covid-19.