Asqeri Dura 67-vjeç, i paralizuar prej disa kohësh qëndron në shtrat dhe djali dhe bashkëshortja e tij, janë personat që vijojnë e mbajnë në jetë me shërbimet që i bëjnë.
Edhe pse gjendja e tij flet më shumë se sa letrat, për shërbimin social shtetëror Asqeri Dura, nuk ka nevojë për njeri shoqërues.
Dhe për rrjedhojë, kjo familje nuk duhet të përfitojë kontributin financiar që i jepet shoqëruesve të personave që nuk kanë mundësi të lëvizin vetë.
Kjo familje prej tre personash, gjendja e të cilëve është evidente, përpiqet të mbijetojë vetëm me pensionin e pleqërisë së bashkëshortes dhe pensionin e invaliditetit të Asqeriut.
Ndërsa djali megjithë kërkesat që ka bërë në Bashki për t’i gjetur një vend pune të përshtatshme për të, është ende i papunë.
Sakaq, Bashkia e Memaliajt, u dërgon herë pas here pako ushqimore dhe veshmbathje me shpresën për të lehtësuar sado pak jetën e vështirë të kësaj familje, e cila është e lënë në dorë të fatit pasi trajtohet si një familje normale, edhe pse ansjë prej tyre nuk është i aftë për punë.