Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Itinerari”, duke goditur një aktivitet të paligjshëm që përfshinte falsifikimin dhe shitjen e vizave hyrëse në Shqipëri.
Si rezultat i hetimeve disajavore dhe punës së koordinuar me Prokurorinë e Tiranës, u arrestua në flagrancë shtetasi A. T., 22-vjeç, lindur në Bregun e Fildishtë dhe banues në Paskuqan, i dyshuar si organizatori kryesor i këtij aktiviteti kriminal.
Sipas hetimeve, A. T., në bashkëpunim me dy persona të tjerë – shtetasin Y. Z., 22-vjeç, po ashtu nga Bregu i Fildishtë dhe banues në Paskuqan, si dhe me shtetasin shqiptar A. R., 46-vjeç, banues në Shkodër – kishte ngritur një skemë falsifikimi të vizave hyrëse për Shqipëri, të cilat më pas ua shiste emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt shumës prej 1000 euro për dokument.
Gjatë periudhës hetimore janë dokumentuar 7 raste të kësaj veprimtarie, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë apo raste të tjera të ngjashme.
Dy bashkëpunëtorët janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërkohë që materialet për veprime të mëtejshme i janë referuar Prokurorisë së Tiranës.