Ditën e sotme, të gjithë myslimanët në Shqipëri dhe në mbarë botën, festojnë Fitër Bajramin. Mijëra besimtarë shqiptarë, kryen faljen e namazit që nisi në orën 07:30 në të gjitha qytetet nëpër xhami e sheshe kryesore.
Besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fitër Bajramit, pas 30 ditësh agjërimi në muajin e shenjtë të Ramazanit.
Kremtimet e Fitër Bajramit, shënojnë edhe fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit, ku familjarë e miq mblidhen bashkë për lutje dhe për të ngrënë drekën e Fitër Bajramit.
Për shumë besimtarë muaji i shenjtë i Ramazanit, përbën në vetvete një kohë reflektimi dhe lutjesh.
Agjërimi, tipari kryesor i tij, është një prej 5 shtyllave të Islamit dhe një moment shpirtëror për myslimanët anembanë botës që të fokusohen tek vetëpastrimi, qetësia, durimi dhe përkushtimi ndaj Zotit.