Evropa është paranojake, por nuk po merr asnjë masë kundër përgjimeve të paligjshme

Nga Clara Gutman-Argemí ”Foreign Policy

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kur punonte në Bruksel, Meritxell Serret përdorte një telefon dhe një numër belg. Midis qershorit 2018 dhe tetorit 2020, kur punonte si përfaqësuese e qeverisë katalanase në Bashkimin Evropian, telefoni i Serret u infektua nga “Pegasus:, një softuer që përgjonte mesazhet dhe thirrjet e saj telefonike, ndizte kamerën dhe regjistruesin pa dijeninë apo pëlqimin e saj.

Një raport nga ‘Citizen Lab” i Universitetit të Torontos, Kanada, zbuloi se ajo ishte spiunuar nga qeveria spanjolle. Abuzimi me përgjimet nuk është ndonjë lajm i ri. Softuerët përgjues tregtarë, përfshirë “Pegasus” të prodhuar nga Izraeli, përdoren gjerësisht ndaj kundërshtarëve politikë dhe gazetarët në vende nga Emiratet e Bashkuara Arabe deri në Azerbajxhan.

Edhe tensionet mes rajonit të Katalonjës dhe qeverisë qëndrore në Madrid nuk janë të reja. Por në vazhdën e raportit të ”Citizen Lab”, të dyja çështjet u paraqitën në tryezën e Sophie Veld, anëtarja holandeze e Parlamentit Evropian që nisi përpjekjet në emër të BE-së për të hetuar abuzimin me këto programe përgjimi në Hungari, Poloni, Greqi, Qipron dhe Spanjë.

Zbulimi se “Pegasus” ishte përdorur në raste personazhesh shumë të njohur – telefoni i kolumnistit arab të Washington Post, Jamal Khashoggi, u zbulua se ishte në shënjestër të “Pegasus” përpara vrasjes së tij nga agjentët sauditë në Stamboll – i detyroi Shtetet e Bashkuara ta futnin këtë program në listën e tyre të zezë.

Ndërkohë edhe vendet e tjera bënë thirrje për ndalimin e përdorimit të tij. Por fakti është se përdorimi nga qeveritë i spyware, dhe jo vetëm i “Pegasus”, është në rritje në gjithë Evropën. Madje kontinenti po shndërrohet në një qendër për prodhimin dhe eksportimin e kësaj teknologjie, përfshirë kompaninë me bazë në BE, Intellexa.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur Pegasus në listën e zezë, dhe kryejnë kontrolle të vazhdueshme t për teknologjinë e spiunazhit të prodhuar nga SHBA, BE-së i mungon kapaciteti për të hartuar lista të zeza të ngjashme në mbarë unionin, për të mos folur pastaj për paaftësinë e ndalimit të hyrjes së çdo lloj programi përgjues komercial.

Pengimi që i bëri së fundmi Madridit hetimit të Parlamentit Evropian mbi abuzimet e qeverisë spanjolle me “Pegasus” në zyrat e BE-së, tregon aftësinë e kufizuar të Brukselit për të vendosura rregulla të qarta në përdorimin e kësaj teknologjinë. Cenueshmëria e BE-së ndaj spiunimit të paligjshëm dhe abuziv, përfshirë edhe qeveritë, po rritet ndjeshëm.

Kjo prirje, bën që kontinenti të ngjajë me atë që një zëdhënës i Parlamentit Evropian e quajti një “Perëndim të Egër”. Brukseli, një mbrojtës i rreptë i të dhënave në internet, mundet vetëm të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për abuzimin e qeverisë me programet e përgjimit. Në nëntorin e vitit 2022, Veld dhe ekipi i saj publikuan një raport mbi gjetjet e tyre.,

Në janar të këtij viti, ato publikuan disa rekomandime jodetyruese për vendet që ishin nën shqyrtim . Vështirësitë e Brukselit nisin që nga konfirmimi se qeveritë po përdorin spyware. Serret zbuloi se ajo ishte spiunuar vetëm kur këtë ia tha “Citizen Lab”, një grupi kërkimor në Universitetin e Torontos i fokusuar tek abuzimet e të drejtave të njeriut përmes teknologjisë.

Me sa duket ajo ishte një nga 65 politikanët katalanas, të përfshirë në referendumin e vitit 2017 për pavarësinë nga Spanja, së bashku me gazetarët dhe aktivistët, telefonat e të cilëve ishin infektuar me softuerët “Pegasus” dhe “Candiru” nga qeveria spanjolle. Gjykata e Lartë spanjolle e shpalli jo kushtetuese referendumin e 2017-ës. NSO Group, kompania izraelite që prodhon softuerin “Pegasus”, konfirmoi se ia shiti teknologjinë qeverisë spanjolle.

Dhe raporti “Citizen Lab” u përmend në raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së për të drejtat e njeriut për Spanjën për vitin 2022.  Por ata që u përgjuan, nuk morën asnjë konfirmim nga autoritetet spanjolle se ishin spiunuar, pavarësisht se kishin paraqitur kërkesa të përsëritura për informacion.

Lajmi se kishte rënë pre e përgjimit nga Madridi ishte “tronditës” për Serret. “Unë mendoja gjithmonë se duke qenë në Bruksel, nuk do të më spiunonin”- tha ajo. Më 20 mars, në të njëjtën ditë kur Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin e tij për të drejtat e njeriut për Spanjën, Veld dhe ekipi i saj u nisën për në Madrid.

Misioni i tyre për gjetjen e fakteve, u pengua nga fakti që anëtarët e Komitetit të Mbrojtjes të Kongresit Spanjoll refuzuan të takoheshin me ta. Ekipi kuptoi akoma më shumë se si Spanja autorizoi përgjimet, dhe informacioni vetëm sa ngriti shqetësime të mëtejshme.

Ekipi i Veld mësoi se deri në 18 nga përgjimet në Spanjë ishin urdhëruar nga një gjykatës, gjë që e bën teknikisht të ligjshëm përdorimin nga qeveria të “Pegasus”. “Por pyetja tjetër është:A janë ndjekur hapat proceduralë të nevojshëm, dhe ai ishte proporcional dhe vërtet i nevojshëm?”- pyeti Veld.

Programi u përdor edhe për përgjimin e gazetarëve dhe anëtarët e familjeve të politikanëve.  Por situata nuk është më e mirë në vende të tjera. Në të gjithë kontinentin, Veld thotë se “nuk marrim asnjë informacion kuptimplotë nga qeveritë”. Në dallim nga Kongresi i SHBA-së, Parlamenti Evropian nuk ka fuqinë të thërrasë për të dëshmuar përfaqësues të shteteve anëtare, apo t’u kërkojë atyre të dorëzojnë informacione për hetimet e tij.

Veld thotë se përdorimi i programeve të përgjimit nga vendet evropiane është “një rrethim ndaj institucioneve demokratike të BE-së, por në një mënyrë dixhitale” dhe paraqet një kërcënim për demokracinë, po aq sa për privatësinë dhe të drejtat individuale”.

Në janar të këtij viti, komiteti i saj i bëri thirrje Hungarisë, Polonisë dhe Greqisë që të “rivendosnin masat mbrojtëse ligjore” të shkelura nga përdorimi i tyre i spyware, por arriti në përfundimin se “korniza rregullative në Spanjë, duket se është në përputhje me kërkesat e vendosura nga traktatet dhe nga vendimet e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Edhe Hungaria dhe Polonia, kanë përdorur “Pegasus” apo softuerë të ngjashëm. Në Hungari, ligjet përcaktojnë që qytetarët nuk mund të informohen nëse janë duke u përgjuar. Sipas raportit të nëntorit 2022 të Parlamentit Evropian, në Poloni “abuzimi me spyware, është një mjet i përdorur për përfitime politike dhe financiare”.

Shtëpia e Bardhë organizoi muajin e kaluar një tjetër Samit për Demokracinë. Këtë herë, lajmi kryesor ishte mungesa e ftesës për Hungarinë dhe Turqinë. Të pranishmit në samit premtuan të kundërshtojnë keqpërdorimin e softuerit spiun nga qeveritë. Por Polonia, Greqia dhe Spanja refuzuan të nënshkruanin memorandumin në fjalë. /albeu.com


Shtuar 14.04.2023 10:42