Evis Kushi kujtohet se është ftohtë, në mes të dimrit marrin masa për të siguruar ngrohjen në shkolla

Në një kohë kur vendi ynë është përfshirë nga temperaturat e ulëta dhe ngricat, ministrja e Arsimit Evis Kushi është kujtuar se fëmijët nëpr shkolla duhet të jenë të shëndetshëm dhe mësimin ta zhvillojnë në ambiente të ngrohta.

Kushi shkruan se po e ndjekin me prioritet situatën e shkollave në të gjithë territorin e vendit, edhe pse fëmijët po zhvillojnë mësim në klasa frigoriferike pa ngrohje dhe aq mq pak termoizolim.

Ministrja më tej shprehet se kanë kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për sigurimin e ngrohjes.

Por pse duhet të merren masat në mes të dimirit dhe jo më parë?

Me sa duket ngrohja në shkolla nuk qenka dhe aq prioritet për ministren e Arsimit dhe atë të Rinisë dhe Fëmijëve, Bora Muzhaqi, e cila i jep më shumë rëndësi kodimit se sa sigurimit të ngrohjes.

Evis Kushi shkruan:

Duke konsideruar prioritet absolut shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve tanë, gjatë gjithë vitit, e veçanërisht gjatë kësaj periudhe me temperatura tepër të ulëta dhe me ngrica në disa zona malore të vendit, po e ndjekim me shumë kujdes situatën e shkollave në të gjithë territorin e vendit, përmes strukturave tona arsimore.

Në komunikim të vazhdueshëm me çdo bashki dhe njësi administrative në vend, kemi kërkuar marrjen e masave në kohë, sigurimin e ngrohjes dhe garantimin e kushteve për zhvillimin e procesit normal mësimor, si pjesë e përgjegjësisë së tyre.

Përsa i takon situatës në terren dhe raportimeve në mënyrë të vazhdueshme nga zyrat arsimore, kemi kërkuar në mënyrë urgjente pajisjen me sistem ngrohjeje të 28 shkollave nga ana e bashkive respektive.

Ngrohja e institucioneve arsimore bëhet në disa mënyra: ngrohje qendrore me kaldajë, kondicionerë, ngrohës me energji elektrike, si dhe sobë me dru ose pelet. Duke vlerësuar këtë përpjekje të përbashkët me institucionet e pushtetit vendor dhe institucione të tjera, u kemi kërkuar bashkive të marrin masa për 51 shkolla ku ngrohja bëhet përmes sistemit elektrik por ngarkesa në rrjet ka sjellë vështirësi për ngrohjen optimale të tyre. Gjithashtu, i kemi informuar që të ndërhyjnë në 21 shkolla, ku sistemi i kaldajës ka nevojë për riparime apo furnizim me lëndë djegëse.

Në disa shkolla të zyrave arsimore Dibër dhe Devoll, ku temperaturat janë tepër të ulëta, orët e mësimit janë reduktuar me 10 minuta.

Për sa i përket menaxhimit të përbashkët të situatës, vijojmë takimet konstruktive dhe komunikimet e vazhdueshme me kryetarët e bashkive, për t’i falënderuar për bashkëpunimin dhe për t’i kërkuar vëmendje të shtuar në këto ditë të ftohta.