Europa po armatoset rëndë, kush kryeson në garën ethshme për raketa, avionë e tanke?

Nga Lorenzo Vita “Il Giornale”

Raporti i Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI) nuk lë vend për asnjë dyshim: shpenzimet ushtarake evropiane kanë arritur një rekord të ri, përkatësisht 2.24 trilionë dollarë. Kontinenti ynë i ka rritur me 13 për qind shpenzimet në fushën e mbrojtjes në krahasim me vitin 2022.

Një nivel shpenzimesh, që siç e thekson vetë instituti, nuk merr parasysh normën e inflacionit, përkundrazi tregon vetëm shpenzimet faktike. Rritja, e cila konfirmon një tendencë që ka filluar prej disa vitesh, vjen kryesisht nga dy faktorë kryesorë.

Nga njëra anë është Lufta e Ukrainës, e cila ka shpalosur një sërë reflektimesh në të gjitha qeveritë evropiane mbi nevojën për të forcuar dhe modernizuar forcat e armatosura nën dritën e luftës tradicionale, e cila nuk është më asimetrike dhe që ka treguar qartazi se nevojiten armë, municione dhe sisteme të reja.

Nga ana tjetër, rritja e shpenzimeve në këtë sektor buron edhe nga një garë e vazhdueshme në mbarë botën drejt riarmatimit, paralelisht me një situatë gjeopolitike gjithnjë e më kaotike dhe me vatra tensioni si në nivel lokal ashtu edhe në atë global.

Për shembull, rritja e ndjeshme e tensioneve në Azi, me fuqitë e etura për të rritur aftësitë e arsenaleve të tyre si dhe për të fituar si konkurrencën rajonale po ashtu edhe atë globale, ka bërë gjithashtu të dukshme nevojën që Perëndimi të rivendosë prioritetet e reja strategjike.

Në këtë kuptim, kërkesat e NATO-s përfshihen në mënyrë të pashmangshme në kapitujt e shpenzimeve të vendeve evropiane. Për Evropën duhet të merret parasysh edhe një faktor tjetër: rritja eksponenciale e blerjeve të armëve dhe prodhimit nga Ukraina dhe Rusia.

Të dyja palët ndërluftuese ishin të detyruara që të rrisnin shpenzimet ushtarake për të përballuar konfliktin e nisur nga Vladimir Putin që në shkurtin e vitit 2022. Dhe ndërsa Moska e ka rritur prodhimin ushtarak, Kievi jo vetëm që ka rritur buxhetin për armët për t’u mbrojtur, por ka përfituar edhe miliarda ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e kontinentit evropian që e mbështet atë.

Për Evropën, është e mundur që kjo prirje të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, edhe në dritën e tensioneve të ripërtërira midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, për të cilat nuk duhet harruar të theksohet se përbëjnë vetëm gjysmën e shpenzimeve ushtarake botërore.

Shtetet evropiane, dhe jo vetëm ato të Bashkimit Europian, duhet që nga njëra anë të mbajnë ritmin me këtë garë të re riarmatimi, dhe nga ana tjetër të përballen edhe me tensionet si një sfidë e vazhdueshme për rritjen e nivelit teknologjik për të mos mbetur shumë prapa superfuqive.

Një çështje që për sistemin evropian përkthehet në një sfidë të dyfishtë. Nga njëra anë, duhen rritur nivelet e prodhimit, të cilat siç po tregohet nga lufta në Ukrainë, nuk janë në gjendje të përballojnë ndikimin e një konflikti në shkallë të gjerë.

Së dyti, është problemi i një sistemi industrial që paguan kostot e prodhimit, duke qenë se inflacioni dhe çmimet e energjisë kanë ndikuar tek të gjitha vendet e kontinentit. Së fundi, ekziston edhe një problem tjetër: ndryshimi i nevojave për luftë nga ana e shteteve.

Në fakt, siç po vihet re me pushtimin rus të Ukrainës, por edhe me atë që po ndodh në pjesën tjetër të botës dhe në rajonin e Indo-Paqësorit, dominon përshtypja se në këtë fazë nevojat e forcave të armatosura janë për shtimin jo vetëm të teknologjisë, por edhe të vëllimeve të arsenaleve ushtarake.

Dhe kjo sepse bota – veçanërisht në Evropë – ka qenë deri tani e fokusuar në skenarë konfliktesh hibride ose të paktën asimetrike. Përplasja midis fuqive apo superfuqive në një logjikë shumëfishe dhe madje tradicionale (me kërkesën në rritje për anije, tanke, raketa, predha) ishte një skenar qe merrej në konsideratë vetëm si një hipotezë ekstreme në lidhje me logjikën e konflikteve hiperteknologjike ose në raport me kundërshtarë, me të cilët ishte e kotë të përdoreshin disa lloje armësh ose mjetesh. Megjithatë, bota e sotme nuk përputhet aspak me këtë arsyetim. /albeu.com


Shtuar 28.04.2023 12:58