Europa përvëlohet nga vala e të nxehtit, Tirana dhe Athina “do ziejnë” me temperaturat deri në 46°C

Evropa këtë verë po përballet me një nga valë më të fortë të të nxehtit, me temperatura mbi mesataren dhe vatra zjarri që shpërthejnë në çdo moment.

Në disa vende të Ballkanit është dhënë alarm i kuq ndërsa në Shqipëri, Greqi, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci, shërbimet zjarrfikëse janë vënë në gadishmëri të lartë për të përballuar emergjencat.

Vendet e Evropës Jugore dhe Qendrore po regjistrojnë temperatura rekord. Në Spanjë dhe Portugali janë shënuar deri në 46°C, ndërsa Franca, Italia dhe Gjermania kanë kaluar kufirin e 40°C në disa rajone.

Tirana dhe Athina janë ndër qytetet ku vala e nxehtësisë tashmë zgjat deri në pesë muaj në vit. Shumë vende kanë mbyllur shkolla, kanë kufizuar aktivitetet në natyrë dhe kanë vendosur masa emergjente për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.

Sipas meteorologëve, valët e të nxehtit do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Për periudhën 24–30 korrik, priten temperatura mbi 40°C në Itali, Francë, Austri, Hungari dhe pjesën më të madhe të Ballkanit. Ekspertët paralajmërojnë se këto kushte nuk janë më përjashtim, por një realitet i ri për shkak të ndryshimeve klimatike.

Kjo valë e nxehti, një nga më të gjatat dhe më të fortat e viteve të fundit, është paralajmërim i qartë për nevojën e reagimit të menjëhershëm ndaj krizës klimatike.


Shtuar 24.07.2025 16:14