Eurodeputeti italian Brando Benifei, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në Itali, është shprehur se marrëveshja e emigrantëve përbën një rrezik. Në një intervistë për Euronews Albania, Benifei deklaroi se pakti është një propagandë nga kryeministrja Giorgia Meloni dhe se kostoja e tij është shumë e lartë. Sipas tij, bëhet fjalë për një harxhim të taksave të qytetarëve italianë.
“Mendojmë se kjo masë është një harxhim i madh i taksave të qytetarëve italianë, pasi përfshin vetëm një numër të vogël njerëzish, rreth një mijë, me mundësi që të kthehen sërish në Itali. Ndaj, masa e Melonit është më tepër një propagandë. Edhe kryeministri Rama kishte dyshime mbi funksionimin e kësaj strukture, por ishte kërkuar si një favor nga Italia. Kjo është një situatë e sikletshme, ndaj së cilës ne i kundërvihemi, duke kërkuar zgjidhje serioze dhe jo masa që kushtojnë miliona euro për një numër të vogël emigrantësh,” – u shpreh Benifei.
Duke iu referuar situatës së fluksit të emigrantëve dhe përfitimeve të mundshme, Benifei theksoi, duke cituar edhe vendet e tjera evropiane, se pakti nuk do të ketë asnjë rezultat dhe nuk konsiderohet si një model efektiv për riatdhesimin.
“Ne e kemi trajtuar si çështje, edhe për faktin se shumë qeveri evropiane sot po mendojnë se si të përmirësojnë proceset e riatdhesimit të emigrantëve. Por kanë vlerësuar negativisht marrëveshjen e propozuar nga Meloni, pasi ajo nuk sjell asnjë rezultat dhe përbën një rrezik. Vende si Gjermania dhe Franca, përfaqësuesit e të cilave, përfshirë Scholz dhe Macron, kanë thënë qartë se ky model nuk sjell përfitime, prandaj ne duam pakte efektive dhe zgjidhje për flukset migratore, jo harxhime të panevojshme ekonomike. Duam të kuptojmë se çfarë do të ndodhë dhe jemi të sigurt se parlamentarët italianë do të shkojnë për të inspektuar kampet. Por ajo që na shqetëson më shumë është menaxhimi i flukseve dhe gjendja ekonomike në Itali – kjo është më tepër një propagandë sesa një zgjidhje,” – përfundoi eurodeputeti.