Rënia e Euros në kursin e këmbimit me Lekun po thyen rekorde të reja. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të enjten monedha europiane u këmbye me 97.15 lekë, niveli më i ulët i shënuar ndonjëherë.
Kursi vazhdon të jetë në rënie edhe me bazë vjetore. Krahasuar me të njëjtën ditë të vitit të kaluar, kursi Euro-Lek është në rënie me 2.7%. Sipas ekspertëve të këmbimit valuator, kursi i këmbimit vazhdon të jetë nën efektet sezonale të lidhura me turizmin. Muajt e verës shoqërohen me ofertë të shtuar valutore, për shkak të rritjes së numrit të vizitorëve të huaj.
Oferta e lartë valutore në treg vazhdon të zhvendosë kursin e Euros në rënie, pavarësisht madje edhe ndërhyrjeve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë. Duke filluar nga tremujori i dytë i vitit, Banka Qendrore ka rifilluar blerjet e valutës për të frenuar mbiccmimin e monedhës vendase. Megjithatë, as kjo nuk ka mjaftuar për të shmangur forcimin e mëtejshëm të Lekut.
Shifrat e blerjeve në tregun valutor publikohen me një tremujor vonesë dhe për momentin nuk ka një informacion lidhur me volumin e valutës që po tërheq Banka e Shqipërisë nga tregu. Në periudhën korrik-gusht të vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë pati blerë 176 milionëeuro, blerje që mjaftuan vetëm për ta mbajtur kursin pak më lart kufirit të 98 lekëve.
Për tremujorin e parë të vitit, statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se deficiti i llogarisë korrente ra në vlerën e 212 milionë eurove, 41% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tkurrja e deficitit të jashtëm në tremujorin e parë erdhi paralelisht nga rënia e deficitit në mallra dhe zgjerimi i mëtejshëm i suficitit në shërbime.
Kontributin kryesor në llogarinë e shërbimeve e dha përsëri turizmi, që solli të ardhura neto në vlerën e 295 milionë eurove, në rritje me 10.5% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Përveç efektit të zakonshëm sezonal, të lidhur me pushimet verore, flukset hyrëse të valutës në ekonominë shqiptare ngelen të larta edhe nga investimet e huaja, sidomos në pasuri të paluajtshme. Agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme shprehen se blerjet nga subjektet nga jashtë vendit vazhdojnë të jenë të larta, veçanërisht në zonat bregdetare.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet e huaja në pasuri të paluajtshme po rriten edhe këtë vit. Për tremujorin e parë, ato arritën vlerën e 104 milionë eurove, 24% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nga ana tjetër, edhe politika fiskale shtrënguese e qeverisë, e karakterizuar nga suficite buxhetore, vlerësohet se po vazhdon të luajë një rol shtesë në forcimin e monedhës vendase.
Të dhënat e Ministrisë së Financave treguan se buxheti e mbylli 6-mujorin 2025 me suficit në shumën e 33.1 miliardë lekëve, në rënie sidoqoftë me 36% krahasuar me suficitin e regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Leku i fortë vazhdon të jetë një faktor me ndikim në nivelete ulëta të inflacionit të ulët të importuar në ekonominë shqiptare. Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë evidenton se inflacioni i ulët në ekonominë shqiptare vazhdon të jetë kryesisht efekt i faktorëve të jashtëm, ndërsa presionet rritëse mbi çmimet në ekonominë e brendshme ngelen të larta.
Nga ana tjetër, forcimi i vazhdueshëm i Lekut vazhdon të ndikojë negativisht eksportet e mallrave dhe shërbimeve, duke filluar nga turizmi, që po bëhet gjithnjë e më shumë sektor themelor për ekonominë shqiptare./ Monitor