Euro 2024, Asani para sfidës me Moldavinë: Nuk ka rëndësi kush shënon, por fitorja

E gjithë vëmendja është e spostuar në Moldavi, aty ku Moldavia pret Shqipërinë të premten në orën 18.00, në takimin kualifikues të Euro 2024. Para takimit, sulmuesi i kuqezinjve, Jasir Asani ka dhënë një intervistë për Supersport, ku u shpreh se ekipi është përgatitur për fitore.

“Duhet të fokusohemi tek ndeshja e nesërme pasi do të jetë e vështirë pasi Moldavia nuk ka humbur në shtëpi. Do të bëjmë punën siç duhet. Kemi dy ndeshje, por nesër do të jetë ndeshja kryesore për ne. Të fitojmë dhe të kthehemi të gjithë të lumtur bashkë”,

-E majta jote i ka marrosur të gjithë. Të gjithë ëndërrojnë që ti me të majtën tënde të vendosësh nesër kualifikimin…

“Jemi përgatitur mirë gjatë gjithë javës. Ekipi është i motivuar në maksimum. Nuk ka rëndësi kush shënon, sulmuesit apo mbrojtësit, por të marrim 3 pikët dhe të kthehemi në Tiranë.”

-A ka ngarkesë emocionale ekipi duke menduar tek pika e kualifikimit?

“Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet, por nesër do të jetë tepër e fortë. Jemi përgatitur për këtë ndeshje shumë mirë. Jemi të gjithë të motivuar. Nuk kemi ardhur për 1 pikë, por për 3 të tilla. T’ja u tregojmë të gjithë, të marrim fitoren të kthehemi në Tiranë të lumtur dhe të jemi më të qetë.”

-Stadiumi ku do të luani nesër, paksa i vogël?

“Kam luajtur në stadiume të tilla, fusha duket e mirë. Por nesër do të hymë për të marrë maksimumin. Moldavia është një ekip shumë i mirë. Kemi ardhur vetëm për 3 pikët.”

-Fushë e vogël dhe mund të shënoni nga larg?

“Nuk ka rëndësi kush shënon golin, por të marrim 3 pikët.”

-E kishe menduar që në një kohë kaq të shkurtër do të ishte në një Europian?

“Nuk e mendoja, por gjithmonë e kam pritur ftesën e Kombëtares shqiptare. Vjen kur nuk e pret. Kam bërë një sezon shumë të mirë në Hungari dhe më pas erdhi ftesa e Kombëtares. Jam më i lumturi në botë, pasi jam duke veshur fanellën më të rëndësishme në karrierë. Të luash për Kombëtaren shqiptare është një rëndësi shumë e madhe, një fanellë shumë e veçantë. Emocione ke dhe në stërvitje dhe në ndeshje. Por unë jam i lumtur dhe do bëjmë maksimumin të gjithë çunat që të shkojmë në Europian. Nesër vetëm për 3 pikët.”


Shtuar 16.11.2023 22:40