Këtë të enjte, Eugena Tomini, është emëruar zëvendësministre e Shëndetësisë, ndërsa Edona Bilali, e cila më herët ka mbajtur edhe detyrën e ministres për Sipërmarrjen dhe Inovacionin, është rikthyer në qeveri si zëvendës ministre në Ministrinë e Infrastrukturës.
Por lëvizja më surprizë ka qenë ajo e Silva Cakës, e cila është emëruar zëvendës ministre e Brendshme.
Deri pak ditë më parë, Caka ishte anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe këshilltare politike në Partinë e Lirisë.
Ajo kishte dhënë dorëheqje nga funksionet e saj brenda forcës politike vetëm pak ditë para emërimit.
Caka ishte gjithashtu kandidate për deputete në zgjedhjet e 11 majit, duke kryesuar listën e Partisë së Lirisë.
Kjo lëvizje vjen pak kohë pas një tjetër kalimi të bujshëm, ai i Endrit Brahimllarit, ish-nënkryetar i Partisë së Lirisë, i cili u bashkua me Partinë Socialiste.