ETHET E ZGJEDHJEVE? Koha e pajisjes me ID Kartë zbret nga 14 ditë në vetëm 3 ditë

Koha e pajisjes me kartë identiteti nga 14 ditë tashmë mund të bëhet edhe brenda 3 ditëve. Risia është lançuar nga IdentiTek, kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve biometrike, duke sjellë një shërbim të ri për qytetarët shqiptarë, përkatësisht e identitetit të shpejtë.

Falë këtij shërbimi, përmes një pagese prej 3 mijë lekësh, çdo qytetar mund të pajiset me letërnjoftim elektronik brenda 3 ditësh.

Shërbimi është krijuar për të lehtësuar dhe përshpejtuar procesin e aplikimit, duke u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë nevojë urgjente për dokumentin e tyre të identifikimit. Procedura e përshpejtuar është veçanërisht e dobishme për emigrantët, të cilët qëndrojnë për pak ditë në Shqipëri, si edhe për të gjithë ata që kanë nevojë të marrin shpejt kartën e tyre të identitetit, qoftë për arsye personale, profesionale apo administrative.

Në vijim të angazhimit për inovacion dhe lehtësimin e aksesit në shërbime, IdentiTek, në varësi të Ministrisë së Brendshme, synon të jetë sa më pranë qytetarëve, duke ofruar produkte e shërbime, të cilat përmirësojnë jetën e tyre.

Aplikimi kryhet në çdo zyrë IdentiTek në të gjithë Shqipërinë. Procedura është e thjeshtë: Blini kuponin (me procedurë të përshpejtuar); Merrni me vete dokumentin e vjetër ose vetëdeklarimin e humbjes/vjedhjes nga e-Albania; Bëni aplikimin në një nga zyrat e IdentiTek; Tërhiqni kartën e re po aty ku keni bërë aplikimin.

Ky shërbim është i aksesueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë, duke përfshirë: Ata që pajisen për herë të parë me letërnjoftim elektronik; Ata që rinovojnë dokumentin e skaduar; Ata që kërkojnë zëvendësim për shkak të skadimit, dëmtimit apo humbjes.


Shtuar 28.03.2025 10:03