Ethet e ndryshimeve në kabinetin qeveritar, zbulohet data, kur do të mblidhet Asambleja e PS-së

Është mësuar data se kur Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë.

Mbledhja do të zhvillohet më 4 shtator në orën 16:30 dhe kryeministri Rama pritet të njoftojë ndryshime të rëndësishme në kabinetin qeveritar.

Në konferencën e pak ditëve më parë Rama la të hapur mundësinë e riformatimit të qeverisë, e megjithatë duhet të presim Asamblenë e PS-së.

“Prisni edhe pak ditë, mbledhja e Asamblesë së PS vjen shpejt” deklaroi Rama më 25 gusht 2023.

Kjo është mbledhja e dytë e Asamblesë kombëtare të PS-së pas asaj të 26 korrikut 2023 ku u shkarkua i gjithë Sekretariati Ekzekutiv i PS-së, i cili do të zëvendësohet me emrat e rinj që do të zgjidhen në kongresin e jashtëzakonshëm në fund të shtatorit.

Në Asamblenë e 26 korrikut, Damian Gjiknuri u shkarkua nga posti i sekretarit të përgjithshëm të PS-së dhe përkohësisht në vend të tij si numri 2 i PS u komandua Blendi Klosi. Bledi Çuçi i cili u shkarkua nga  detyra e ministrit të Brendshëm u caktua kreu i ri i grupit parlamentar të PS-së, në vend të Taulant Ballës. Ky i fundit  u emërua në postin e ministrit të Brendshëm të lënë bosh nga Bledi Çuçi.

Sekretariati i PS i shkarkuar në Asamblenë e 26 korrikut

1.Sekretar i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri
2.Sekretari për Organizimin, Blendi Klosi
3-Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Eridian Salianji
4-Sekretare për Burimet Njerëzore Anila Denaj
5-Sekretare për Koordinimin, Blerina Gjylameti
6-Sekretari Dixhital, Etjen Xhafaj
7-Sekretare për Gruan, Etilda Gjonaj
8-Sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë, Romina Kuko
9-Sekretari për Migracionin, Laert Duraj

/Albeu.com.