Eskortë sigurie njësoj si “Falcone”, kreut të SPAK-ut i shtohet dhe një grup i skuadrës “Shqiponja”

Informacione për kërcënime serioze në adrresë të kreut të SPAK-ut Altin Dumani, kanë rritur masat e sigurisë, jo vetëm në zonën e “Kombinatit”, ku ndodhet banesa e tij, por rritja e nivelit të sigurisë është bërë dhe në eskortën lëvizëse të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.

Situata e sigurisë, për sa i përket transportimit të Dumanit nga një vend në një tjetër, tashmë është marë në dorë, jo vetëm nga Garda e Republikës por edhe nga Policia e Shtetit.

Madje në këtë fazë kohore ku ndodhet SPAK, siguria është kthyer në një çështje shumë të rëndësishme. Masat e programit të mbrojtjes janë shtuar dhe tek anëtarët e familjes.

14 ditë më parë gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, raportoi se prokuroria e Posaçme, kishte vendosur ti jepte 649 milion lekë një kompanie private si “AlbaScan”, për të krijuar një “umbrellë” elektronike sigurie në hyrjet e godinës së SPAK.

Ndërkohë Qyno, ka mësuar se së fundi eskortët së Dumanit i është shtuar dhe një njësi e posaçme e grupit “Shqiponja” që shërbejnë pranë Policisë së Tiranës.

Kjo njësi “Shqiponja”, gjithmonë është e planizuar të qëndrojë me një furgon në fund të eskortës, duke pasur si detyrë të kryejë veprime taktike, për të bllokuar hyrjen e automjeteve të tjera civile, në parakalim.

Gazetari Qyno, ka mësuar se rruga shpesh herë çahet nga një motor i policisë rrugore ose njësisë policore “Shigjeta” që ndiqet nga pas me një makinë policie tip “Golf 7”.

Kurse “Audi” i blinduar me dy gardistë në sediljet e para dhe me një fenelinë policie lart, ku udhëton në sediljen e pasme, Altin Dumani, qëndron në mes të eskortës.

Pas “Audit” të blinduar, kohët e fundit është futur si zgjatim i eskortës, një automjet i zi “Range-Rover”, ku qëndron dhe e ndjek nga pas një njësi zjarri me efektivë të Gardës së Republikës.

Dhe pas këtij automjeti qëndron një furgon me mbishkrimin “…Policia…”, ku lëviz njësia “Shqiponja” pranë Policisë së Tiranës.

Sirenat e zhurshme të eskortës së Altin Dumanit, dëgjohet thuajse çdo mëngjes nga qytetarët e “Kombinat”, banorët e zonës së “KMY-së”, zonës tek “Gloobe”, zonës së “21 dhjetorit”, tek “Zogu i Zi” e deri kur mbërin para oborrit të SPAK.

Eskortës lëvizëse të Altin Dumanit, sot i mungon vetëm një Ambulancë e Qëndrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore dhe shkon njësoj me parametrat që ka sot eskorta e kryeministrit të vendit, Edi Rama. Rama dhe Dumani, sot janë dy njerëzit kryesorë në Shqipëri që kanë perimentrin më të lartë të sigurisë.

Dumani, ka një eskortë lëvizëse të vërtetë duke i krijuar një perimetër të jashtëzakonshme sigurie. Një eskortë thuajse dhe më të madhe se ajo e Giovanni Falcones, prokurorit të antimafias në Palermo, i cili u vra nga klani “Corleonezi” në 23 Maj 1992.

Një eskortë të tillë, nuk e ka pasur as paraardhësi i tij, Arben Kraja që drejtoi SPAK-un në tre vitet e para të funksionimit.

Kujtojmë që dy vite më parë, eskorta lëvizëse e Altin Dumanit, në fillimet e tij si drejtues i SPAK, ishte shumë e thjeshtë.
Vetëm dy efektivë të Gardës së Republikës, një makinë tip “Benz” jo i blinduar, që drejtohej nga i njëjti shofer që ka shëtitur rrugëve të Shqipërisë, kreun e Krimeve të Rënda, Adnand Kosovën, Olsi Çelën, Eugen Becin, Besim Hajdërmataj dhe vetë zonjën Donika Prela.

Por pas dy viteve në krye të SPAK, tashmë Altin Dumani lëviz i shoqëruar me një karvan automjetesh shtetërore, ku në krye çan trafikun e Tiranës një motor i policisë rrugore.


Shtuar 24.11.2024 11:39