Një raport i hartuar me porosi të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim ka nxjerrë në pah disa problematika që lindin nga diferencimet gjinore në politikën shqiptare që shumicën e rasteve kanë si produkt diskriminimin dhe dhunimin e grave.
Studimi ka hedhur dritë mbi mënyrën e zgjedhjes së tyre në poste drejtuese apo edhe rastet kur për shkak të garës së padrejtë iu mohohet një arritje e caktuar.
Format e dhunës që gratë hasin në politikë janë përçmimi, gjuha ofenduese, fyerjet, akuzat e rreme në media e deri të kërcënimi për shkarkim të tyre ose të anëtarëve të familjeve të tyre nga postet shtetërore. Ato përballen jo pak herë edhe me ngacmime seksuale si dhe thashetheme apo akuza të kësaj natyre.
“Përqindja e grave që thanë se gjuha poshtëruese apo lajmet e rreme me të cilat ishin përballur ishin të një natyre seksuale, ishte më e lartë në krahasim me burrat. 43,18% e grave që ishin përballur me gjuhë poshtëruese apo lajme të rreme u shprehën se kjo lloj dhune ishte e një natyre seksuale. Ndërkohë, vetëm 8% e burrave raportuan të njëjtën gjë”, thuhet në raport.
Gratë e pyetura nga hartuesit e këtij raporti shprehen se drejtuesit e partive zgjedhin të preferuarit e tyre, persona të cilët nuk janë gjithmonë të kualifikuar ose nuk kanë lidhje të forta me bazën
Ndërkohë gratë më të reja në moshë nxjerrin në pah fenomenin e mbështetjes në publik nga ana e drejtuesit ndërkohë që atëherë kur “fiken” kamerat ata shpesh i kërcënojnë ose i diskriminojnë.
Adela (pseudonim) thotë se ka qenë kandidate në zgjedhjet e fundit parlamentare por më pas emri i saj është hequr nga lista për të vendosur persona që nuk kishin lidhje fare me zonën ku ajo kandidonte.
“Dhunë psikologjike është kur ti garon dhe të heqin nga gara pa asnjë shpjegim… Unë isha kandidate në zgjedhjet e fundit 7 parlamentare. Plotësova formularin e vetëdeklarimit , por më pas emri im u hoq nga lista. Kishim 20 emra nga komisioni [në Tiranë – shumica nuk kishte fare lidhje me zonën. Komisioni që i zgjodhi e di më mirë këtë çështje”, thotë ajo.
Ndërkohë një tjetër grua e cila është angazhuar për një periudhë kohe në politikë tregon një episod të tre viteve më parë ku drejtues i kërkoi të drejtonte formalisht një institucion.
“Tri vite më parë, kur ishin zgjedhjet për kryetarin, unë isha kandidate. Por unë nuk e dija që isha kandidate. Dy orë përpara konferencës, më mori në telefon dhe më tha: “Emri është hequr” je kandidate dhe duhet të vesh në konferencë. I thashë si mund të bëhen gjëra të tilla.
I thashë se duhet të kem njerëzit e mi në komision dhe se duhet të ndjek procedurat. Ai u përgjigj: “Jo. Është vendosur se kush do të jetë kryetari. Ti do të jesh thjesht kukull. I thashë se nuk e pranoj këtë situatë. Unë nuk jam kukull. Kushdo që mendon se mund të jem kukull, e ka gabim… Gara ishte fallco. Nuk kishte garë”, shprehet ajo.