Zhdukja e të shumëkërkuarit nga policia Ervis Martinaj, mbart një mister të madh, pasi pistat në të cilat po hetohet sot janë të shumta, ku dy më kryesoret janë eleminimi i tij nga grupet rivale, ose një inskenim i mundshëm.
Për të folur mbi këtë çështje i ftuar në edicionin e lajmeve në Abc, gazetari investigativ, Artan Hoxha, ka hedhur “dritë” mbi ngjarjen, duke zbardhur të shkuarën e Martinajt dhe përplasjet e mëdha të tij me kundërshtarët në biznes.
“Pas ngjarjes në Bllok ku ai mbeti i plagosur nga ish-efektivi i forcave speciale, Meviol Bilo, Vis Martinaj ndodhej në burg. Në atë kohë në Shqipëri u tha që po krijohej një kompani që u identifikua me emrin “Bast Arena” , u tha që aty janë disa biznesmenë turq, pastaj u tha që është një politikan i rëndësishëm, pastaj u tha që është dhe një personazh tjetër shumë i rëndësishëm. Kjo kompani synonte që të merrte nën kontroll tregun e lojërave të fatit”, tha Hoxha.
Sipas gazetarit Hoxha, edhe pse Martinaj në atë kohë ndodhej në burg, tre aksionerëve të kompanisë së basteve iu dërgua një mesazh, ku ju kërkohej të hiqnin dorë, pasi duyshohej se ata ishin të interesuar që Martinaj të mbetej në qeli.
Gazetari Hoxha theksoi se mes personazheve që ju mbërriti mesazhi i grupit të Martinajt është edhe një person i shpallur non-grata nga DASH.
“Të gjithë pjesëtarët apo aksionerët e kësaj kompanie janë kontaktuar një nga një, dhe u është thënë që nëse ju tentoni, të mban i sepse aty mendohej se ata po ndikonin të ngelej në burg Ervis Martinaj, përgjegjësitë do i keni ju personalisht. Mesazhi u është çuar të treve. Në mos gaboj njëri nga ata personazhet është tek lista e Departamentit Amerikan të Shtetit, tek non-grata, që është kontaktuar edhe ai dhe i është thënë që mos guxo të hysh tek ky treg”, u shpreh Hoxha.
Ndërkohë gazetari paralajmëroi se sot në Shqipëri po operon një strukturë kriminale shumë herë më e rrezikshme se Vis Martinaj, e cila do të jetë edhe më e vështirë për tu mbajtur nën kontroll./Abcnews.al/