“Është kreu i qeverisë më i pavlerësuar”, Berisha: Rama është arsyeja pse nuk BE nuk hap negociatat

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë në një deklaratë për mediat pas tensioneve të ditës së sotme në Kuvend.

Berisha tha se Edi Rama është autori kryesor që Bashkimi Evropian nuk hapi negociatat me Shqipërinë.

Ai shtoi se Rama është sot kreu i qeverisë më i pavlerësuar, më i pabesueshëm në të gjithë qeveritarët e Europës, më konkretisht vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE

“Në deklaratën e liderëve të BE, të mbledhur në Bruksel me udhëheqjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, rezulton se Shqipëria mbetet në klasë.
Prej një viti e gjysëm nga takimi i Brukselit, negociatat de facto nuk po hapen.

Edi Rama është shkaktari kryesor i këtij bllokimi de facto të procesit të integrimit nga viti 2013 gjer në vitin 2023, pra nj dekadë me radhë.

Edi Rama ka përkeqësuar për interesa personale të pushtetit të tij demokracinë, gjendjen ekonomike. Ka zëvendësuar shtetin ligjor me kodin e mafies dhe narkoshtetit.

Ai është sot kreu i qeverisë më i pavlerësuar, më i pabesueshëm në të gjithë qeveritarët e Europës, më konkretisht vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE.
Në Kongresin e tij, ai paralajmëroi shqiptarët duke fajësuar njëherë Greqinë dhe njëherë tjetër boshtin evropian se Brukseli nuk do hapë negociatat për Shqipërinë. Duke aluduar kryesisht për çështjen Beleri.

 

 

E vërteta është se në deklaratën e liderëve të BE, çështja më kryesore, apo numër 1, që pengoi hapjen de facto të negociatave me Shqipërinë, është mungesa e dialogut për shkak kjo të qëndrimeve dhe veprimeve të Edi Ramës, grusht shteti brenda shtetit, duke marrë të gjitha kompetencat e parlamentit, fakt ky i denoncuar në mënyrë të përsëritur gjatë muajit të fundit dy herë nga Komisioni Europian, si në raportin e Komisionit, ashtu edhe në deklaratën e zyrës së zotit Borrel, si një akt që nuk ndodh kund përveçse në Shqipëri.

Këshilli i Ministrave të BE, refuzoi të hapë negociatat për kapitullin e parë, të japë dritën jeshile sepse Edi Rama në vend të dialogut dhe zgjidhjes me dialog të problematikave të mëdha, ka zgjedhur puçin e shtetit brenda shtetit, bllokimin e të drejtave kushtetuese të opozitës dhe përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e veta.

Edi Rama ka zgjedhur bllokimin me çdo çmim dhe duke penalizuar çdo shqiptar që ka ëndërr integrimin evropian, bllokimin e komisioneve hetimore për Edi Ramën, familjarët e tij, për aferat superskandaloze, vjedhjet e mëdha me djegësin e shekullit, me Portin e Durrësit, me sterilizimet, por dhe dhunimin e Kushtetutës nga anëtarë të familjes Rama, për çka PD do paraqesë kërkesën për dorëzimin e mandatit nga ky hajdut që nuk njeh ligj, moral dhe Kushtetutë”, tha Berisha.


Shtuar 14.12.2023 13:12