“Është burrë”/ Brigitte Macron sfidon shpifjet, çifti presidencial përgatitet për betejë ligjore në SHBA

Brigitte Macron, Zonja e Parë e Francës, dhe bashkëshorti i saj, Presidenti Emmanuel Macron, po përgatiten të ndërmarrin një hap të pazakontë në mbrojtje të dinjitetit personal: paraqitjen e provave shkencore dhe fotografike në një gjykatë amerikane, për të kundërshtuar publikisht një teori konspirative që ka marrë hov në rrjet.

Ky veprim vjen në kuadër të një padie për shpifje që çifti ka ngritur në SHBA kundër komentatores së djathtë, Candace Owens, e cila ka promovuar idenë se Brigitte Macron ka lindur mashkull – një pretendim i rremë, i hedhur poshtë më parë nga autoritetet franceze.
Avokati i çiftit Macron, Tom Clare, deklaroi në një intervistë për BBC se kjo nuk është thjesht një çështje mediatike, por një sulm personal që ka ndikuar drejtpërdrejt jetën e përditshme të çiftit presidencial.

“Brigitte është thellësisht e shqetësuar nga këto aludime dhe ndikimi i tyre mbi të,” – tha Clare. “Këto pretendime kanë krijuar shpërqendrim serioz, edhe për presidentin. Ai mund të jetë udhëheqës shteti, por nuk është imun ndaj dhimbjes që vjen kur familja jote vihet në shënjestër.”

Çifti Macron është i gatshëm të dorëzojë dokumentacion shkencor dhe dëshmi ekspertësh, që do të hedhin poshtë çdo spekulim për identitetin gjinor të zonjës Macron. Clare nuk ka zbuluar ende natyrën e saktë të provave, por theksoi se “ato do të jenë të qarta dhe bindëse, në mënyrë që të vendoset e vërteta njëherë e mirë”.

Ai shtoi se Brigitte Macron është e vetëdijshme për natyrën publike të këtij procesi, por është e vendosur ta përballojë:

“Ajo e di që kjo është një barrë e rëndë, por e ndien si detyrim moral ndaj vetes dhe ndaj të vërtetës. Ajo nuk do të lejojë që kjo histori të marrë më shumë terren pa u kundërshtuar fuqishëm.”

Akuzat për identitetin gjinor të Brigitte Macron filluan në vitin 2021, kur blogeret franceze Amandine Roy dhe Natacha Rey përhapën pretendimet në YouTube. Edhe pse në fillim, në vitin 2024, një gjykatë franceze vendosi në favor të Brigitte Macron për shpifje, vendimi u rrëzua në apel në vitin 2025, për arsye që lidhen me lirinë e shprehjes, jo me vërtetësinë e pretendimeve.

Ky zhvillim e ka shtyrë çiftin presidencial të kërkojë drejtësi në SHBA, ku Candace Owens është akuzuar se ka “shpërfillur faktet e verifikuara në favor të teorive konspirative dhe shpifjeve të përsëritura”.


Shtuar 18.09.2025 12:23