“Është bërë gazi lotsjellës si parfum”, ironizon Kikia: Dikur policët përdorin dhe shkop gome

Gazetari dhe analisti Mentor Kikia përmes një postimi në Facebook, ka reaguar përdorimin e gazit lotsjellës pa kriter nga ana e policisë.

Me nota ironie, Kikia shkruan se gazi lotsjellës është bërë si parfum, ndërsa kujton vitin 1991 kur efektivët përdornin dhunën dhe shkopin e gomës.

Ai ka ndarë dhe një foto nga protesta e disa mbështetësve të Sali Berishës në Fier, të cilët u ngritën kundër Bashës.

“Është bërë gazi lotsjellës si parfum…

Më duket mua apo kjo puna e policisë në menaxhimin e protestave është lehtësuar ca si shumë? Qëkurse i mësoi Lleshi, tashmë këto bombolat e gazit janë bërë si parfume, kap e hidh, kushdo që tu dalë përpara.

Mesa mbaj mend unë, që nga koha e “stampistave”, në 1991, policët çoku edhe shtynin me shpatulla, përdornin edhe shkopin e gomës etj, ndërsa këto vitet e fundit ia kanë marrë dorën, sa tu afrohesh të fusin një spërkatje me gaz dhe mbarojnë punë. As lodhen, nuk bëhen as pis madje.

Unë di se ka ca kritere kur përdoret gazi lotsjellës, jo vend e pa vend.

P.S: Foto është nga masat e policisë në Fier, ku ca demokratë po kontestonin vizitën e Lulzim Bashës në këtë qytet”, shkruan Kikia./albeu.com

 

Shtuar 17.01.2022 11:29