Ervin Salianji paraqitet te Shërbimi i Provës pas lirimit me kusht

Mëngjesin e sotëm, në kuadër të lirimit të tij me kusht, ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, është paraqitur te Shërbimi i Provës, i shoqëruar nga avokati Ledio Braho,

Salianji u lirua nga qelia më 8 Korrik me vendim të gjyqtarit të Gjykatës së Fierit, Noel Vezizi, pasi kishte ezauruar 2/3 e dënimit.

Ai kreu 9 muaj e gjysmë burgim, teksa burgu i Fierit dhe Shërbimi i Provës poaraqitën raport pozitiv, ku po ashtu dakordësinë e shprehu edhe prokurori Genci Mane.

Salianji ndodhej prej 27 shtatorit të vitit të kaluar në burgun e Fierit, pasi Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë duke e dënuar me 1 vit burgim, për shkak se i prishi imazhin Qeverisë duke denoncuar Geron Xhafajn, vëllain trafikant droge të ish-ministrit Fatmir Xhafaj. Ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.

Ervin Salianji, por dhe Partia Demokratike, e kanë konsideruar dënimin e Apelit për të si një hakmarrje politike të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt dhe të pambështetur në prova dhe në ligj.

Ish-deputeti demokrat e konsideron veten si një të dënuar politik dhe ka paralajmëruar se çështjen do e ndjekë deri në Strasburg.


Shtuar 11.07.2025 09:53