Ermonela Jaho shpallet artistja më e mirë e huaj në Spanjë

Sukses tjetër për artisten e njohur shqiptare, Ermonela Jaho. Artistja më e mirë e huaj që ka interpretuar në Spanjë është shpallur Jaho, ku është vlerësuar edhe me çmim.

Çmimi i është dorëzuar nga ministri i Drejtësisë për kontributin e saj në lirikën spanjolle. Sopranoja shqiptare është vlerësuar dhe duartrokitur, jo pak herë për zërin e saj.
Ajo lindi në Tiranë, në vitin 1974. U largua në vitin 1993 nga Shqipëria për në Itali me një bursë studimi, dhe më pas iu desh ta realizojë ëndrrën e ngjitjes në skenë, përkrah artistëve të huaj.

Pas përfundimit të studimeve për këndim dhe piano, ajo fitoi disa konkurse të rëndësishme, të tilla si: Giacomo Puçini në Milano Itali më 1997, Spontini International Ancona, Itali më 1998, në Rovereto Zandonai, Itali më 1999, këngëtarja më e mirë e Festivalin Wexford më 2000.

Jaho fillon të interpretojë në skenë në Bolonja, në rolin e Mimit (La Bohème e Puçinit), në La Fenice, e më pas në rolin e Suzanës (Dasma e Figaros), si edhe në Trieste në rolin e Mikaelës (Karmen). Dalja e saj e parë në skenë jashtë Italisë ishte në festivalin e Weksfordit në Irlandë, ku këndoi operën Safo të Massenet, dhe Vajza e Orleanit të Çajkovskit. Në Gjermani, ajo shfaqet me rolin e Norinës (Don Paskuale) në Mynih. Më pas ajo interpreton përsëri Suzanën në Gjenevë dhe në Francë, në teatrin Kapitol të Tuluzës. Në Shtetet e Bashkuara, ajo paraqitet me Mimin, me Teatrin e Operës Michigan.

Nga viti 2009, karriera e saj e kthen atë në një ikonë arti botërore. Fitoi shpejt sukses nëpër botë, me lavdërime të shumta nga kritikët. Ajo vazhdon të paraqitet me La rondine të Puçinit në Trieste, Karmen në Glyndebourne dhe La Traviata në Lion. Në 2009, ajo vjen si Liù (Turandot) në Filadelfia, Vitellia (La Clémence de Titus) në Avinjon, dhe Ana Bolena në Paris.


Shtuar 23.10.2024 12:50