Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, ka zhvilluar një vizitë të veçantë në Kosovë, ku është pritur ngrohtësisht nga figurat më të larta të shtetit dhe nga përfaqësues të artit dhe kulturës.
Artistja e madhe ka ndarë emocionet e saj përmes një statusi të ndjerë në rrjetin social Facebook, të shoqëruar me fotografi nga takimet e zhvilluara në Prishtinë.
Në qendër të pritjes ishte ambasadori shqiptar në Kosovë, z. Petrit Malaj, i cili, së bashku me stafin e tij, ka shoqëruar Jahon gjatë gjithë vizitës së saj zyrtare dhe kulturore në vend.
Një ndër temat më të rëndësishme të diskutuara gjatë këtyre takimeve ishte ndërtimi i një shtëpie të re të operës në Kosovë – një nevojë shumëvjeçare e skenës artistike kosovare. Jaho shprehu besimin dhe shpresën që ky premtim do të realizohet së shpejti: “Shpresoj që premtimi i tyre për ndërtimin e një shtëpie të re opere të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Jam e sigurt që ajo do të shndërrohet në një tempull arti, ku do të këndojë shpirti i gjithë Kosovës”, shkruan ajo.
Jaho, e njohur për interpretimet e saj mbresëlënëse në skenat më prestigjioze të botës, do të mbajë koncert në Prishtinë më 8 qershor.