Erion Veliaj tentoi të mbulonte krizën e mbetjeve, plehrat “pushtojnë” Tiranën

Bashkia e Tiranës centralizoi shërbimin e pastrimit, tek kompania publike “Eco Tirana” nëpërmjet një procesi të paqartë.

Erion Veliaj, akuzoi privatët se u tërhoqën nga kontratat dhe sabotuan qëllimisht pastrimin e Tiranës, por vetë kompanitë dhe marrëveshja mes bashkisë Tiranë dhe kompanisë “Eco-Tirana” tregojnë të kundërtën.

“Rënia dhe shkëlqimi i Eco-Tiranës”

E krijuar në vitin 2016, historia e komplikuar e “Eco Tirana” nisi kur Bashkia Tiranë, lidhi një kontratë shërbimi me kompaninë për pastrimin dhe diferencimin e mbetjeve urbane në qytet.

Gjashtë vite më pas, në kulmin e debateve për skandalin korruptiv të inceneratorit, kjo nismë ende nuk ka gjetur zbatim.

Fillimisht kjo kompani kryente pastrimin për “Zonën e kuqe”, por situata me mbetjet në kryqetytet këtë verë u përkeqësua deri sa nuk mund “të fshihej”.

Kryetari i bashkisë Erion Veliaj, pranoi situatën, duke u shprehur se “kjo ka ndodhur pasi kompanitë private që operonin, janë tërhequr nga dhënia e shërbimit”, por vetë kompanitë e mohojnë një gjë të tillë.

“Shoqëria Fusha shpk nuk është tërhequr nga asnjë kontratë shërbimi private/shtetërore për të cilën ajo është kontraktuar. Shoqëria jonë ka përfunduar kontratën e shërbimit në përputhje të plotë sipas kushteve dhe specifikimeve teknike të kontratës”, i tha Citizens.al një përfaqësuesi i kompanisë Fusha.

Dy kompanitë e tjera nuk iu përgjigjën një kërkese për koment nga Citizens.

Nga leximi i kontratës së lidhur mes Bashkisë Tiranë dhe kompanisë “Eco-Tirana”, që Citizens.al e disponon, rezulton se ndryshe nga sa ka deklaruar publikisht Veliaj, nuk ka pasur një sabotim të pastrimit nga privatët.

Kjo pasi zyrtarisht kontrata rezulton të jetë lidhur në mars 2024. Madje lëvizjet për të kaluar pastrimin në dorë të “Eco-Tirana” gjithë qytetin kanë nisur që një vit më parë.

Me vendimin e datës 27 shtator 2023, bashkia i shtoi për herë të parë territorin Eco-Tiranës, më pas bëri një ndryshim tjetër në 15 nëntor 2023. Një vendim tjetër i shkurtit 2024 e shtrin territorin e pastrimit për Eco Tiranën në 5 zona. Kontrata u lidh përfundimisht në 8 Mars 2024.

Dokumentet tregojnë se bashkia ka qenë në dijeni për kalimin e pastrimit nga kompanitë e vjetra tek Eco-Tirana dhe se nuk patur një sabotim të papritur, ndaj situata kritike me mbetjet gjatë muajve të verës mund të ishe evituar.

Ekspertët nga ana tjetër, e shohin të dyshimtë kalimin e pastrimit tek “Eco Tirana”, e cila deri më tani ka pastruar vetëm një të katërtën e qytetit.

Eco Tirana, është një kompani koncensionare ku bashkia e Tiranës zotëron 51% të aksioneve, ndërsa 49% zotërohen nga kompania italiane “AGSM AIM” që më parë mbante emrin “AGSM Verona S.P.A”.

Fati i kësaj marrëdhënie të re kontraktore bëhet edhe më i paqartë, po t`u referohemi të dhënave të Open Data ku rezulton se “AGSM AIM” se që nga viti 2021, ka nisur procedurat e likujdimit dhe aktualisht është një shoqëri në likujdim e sipër.

Pasqyrat financiare tregojnë se që nga viti 2016, kohë kur është krijuar kompania që zotëron gjysmën e aksioneve të Eco Tiranës, ka deklaruar bilance negative me humbje miliona lekë në vit, përvec vitit 2019 kur ka deklaruar 38 mijë lekë fitim, duke shtuar dyshimet për mënyrën se si do të menaxhohet pastrimi i qytetit.

“Monopoli i plehrave”

Në fillim të shtatorit, teksa Tirana ishte pushtuar prej ditësh nga malet me plehra, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se pastrimi ishte sabotuar. Ai akuzoi kompanitë private që ishin kontraktuar nga bashkia se lanë pa pastruar qytetin dhe njoftoi centralizimin e këtij shërbimi në dorën e bashkisë.

“Nga sot, pastrimi do të kryhet nga Bashkia e Tiranës, nëpërmjet Eco Tiranës. Tranzicioni nga privati te bashkia i këtyre zonave u sabotua me mbështetje nga politika e pisllëkut dhe zhulit”, – tha Veliaj në një postim në rrjetet sociale.

 

Qyteti i Tiranës është i ndarë në 7 zona pastrimi (3 zona lindore, 3 perëndimore dhe Zona e Kuqe në qendër të Tiranës), ku operojnë operatorë privatë me kontrata sipërmarrjeje.

Në dhjetor të vitit 2016, në “Zonën e Kuqe” ka filluar të operojë edhe shoqëria “Eco Tirana”.

Bashkia e Tiranës, ka parashikuar të shpenzojë 2.9 miliardë lekë (29 milionë euro) për menaxhimin e mbetjeve urbane në 2024, 47% më e lartë se viti 2020.

Në programin e menaxhimit të mbetjeve, përfshihen pagat për sektorin e pastrimit të qytetit, mbledhja, transportimi dhe depozitimi i mbetjeve.

Ky shërbim deri më shtator ofrohej nga tre kompani private dhe Eco Tirana.

Referuar kontratave, në harkun kohor të një viti, tre kompanitë private kanë përfituar një fond pre 1.5 mld lekësh për pastrimin e Tiranës.

Kontrata e “Alko Impex Construction”, me objekt “shërbim pastrimi i Tiranës zona III”, përfundoi në mars të 2024 dhe kishte një vlerë prej 501 milionë lekë.

Ante Group kishte një kontratë me vlerë 426 mlionë lekë për të ofruar shërbim të pastrimit.

Ndërsa “Fusha shpk”, kishte po ashtu një kontratë të lidhur në mars të 2023 me kohëzgjatje 1 vjeçare, me objekt “shërbim i pastrimit të zonës Tirana IV” me vlerë 631.9 milionë lekë.

 

Megjithatë, pastrimi në Tiranë vijon të jetë problematik, së fundmi kjo situatë u përshkallëzua, ku përgjatë 3 muajve të verës male me plehra u panë në të gjithë lagjet e Tiranës.

Në rrjetet sociale qytetarët nisën të shpërndanin situatën me mbetjet në lagjet e tyre. Ata ju bashkuan dhe pyetësorit të hapur nga Citizens.al, ku dëshmuan një situatë të përkeqësuar në të gjitha lagjet e kryeqytetit.

36 qytetarë iu përgjigjën thirrjes, duke dëshmuar përmes fotove dhe videove, se prej disa javësh e në shumë raste prej muajsh, lagje të ndryshme të Tiranës, ishin pushtuar nga plehrat.

Qytetarët raportuan probleme në thuajse të gjithë territorin e Tiranës, por zonat e prekura më shumë nga menaxhimi i keq i mbetjeve duket se janë, Astiri, zona e “5 Majit”, “Lapraka”, “Fusha e Aviacionit” dhe “Parku i Autobusëve”.

Një familje në Tiranë paguan çdo muaj 480 lekë taksë për pastrimin e mbetjeve, por kjo taksë nuk kthehet në shërbim. Një vit më parë Citizens raportoi mbi situatën e mbetjeve, ku rezultoi se shpenzimet për pastrimin rriteshin, por problemi me mbetjet sërish serioz.

Vetë bashkia e Tiranës në vitin 2021, ka realizuar një sondazh ku ka vjelë opinionin e qytetarëve në lidhje me pastrimin e qytetit.

Sipas këtij dokumenti, të publikuar në faqen zyrtare të bashkisë qytetarët mendojnë se pastrimi i qytetit është mesatar, ndërsa pakënaqësitë më të shumta lidhen me numrin e kontejnerëve dhe higjenën rreth tyre.

 

Në këtë dokument, shkruhet se “çdo ditë nga operatorët e shërbimit të pastrimit lahet një sipërfaqe (rrugë) prej rreth1,978,550 m2 dhe fshihet një sipërfaqe (rrugë) prej rreth 2,979,836 m2, si dhe rreth 148 kontejnerë në ditë tërhiqen për t’u larë e dezinfektuar”.

Shpenzimet për menaxhimin e mbetjeve në 2024 sipas parashikimit në buxhet, ishte dyfishuar krahasuar me vitin 2017, përpara se të fillonte projekti i inceneratorit të Tiranës.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit gjeti se Bashkia Tiranë, ka paguar 26.5 milionë euro shtesë në tre vitet e fundit, krahas kostos së pastrimi prej 3.9 miliardë lekësh.

Qytetarët e Tiranës tanimë do të paguajnë vetëm dy kompani për pastrimin “Eco Tiranën” dhe “Integrated Energy” për inceneratorin që nuk ekziston dhe ndodhet nën hetim për korrupsion.



Shtuar 21.09.2024 10:23