Ditën e sotme, ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka vijuar me tone të forta mbrojtjen e tij në seancën në Gjykatën Kushtetuese, ku kundërshton vendimin e qeverisë për shkarkimin nga detyra.
Ai e ka cilësuar si “fyerjen më të rëndë të jetës” argumentin zyrtar të largimit të tij për “mungesë tre mujore në detyrë”.
“Tirana është një qytet që rreh me pulsin e kombit tonë. Arsyeja për të më larguar mungesa tre mujore në detyrë, është fyerja më e rëndë e jetës sime, sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, ata që më njohin më mirë se kushdo tjetër, që as nuk më njoftuan e as nuk më dëgjuan. Zoti i faltë, sepse nuk dinë çfarë bëjnë. Lutem për ta çdo natë”, u shpreh Veliaj.
Ai e cilësoi vendimin e shkarkimit si një padrejtësi të dyfishtë, të cilën e konsideroi jo vetëm një dënim ndaj tij, por ndaj parimeve të shtetit ligjor.
“Dy padrejtësi nuk bëjnë më shumë drejtësi. Padrejtësia e shkarkimit, mbi atë të ndalimit, nuk e bën vendin më të drejtë. Ky nuk është cinizëm me mua, por me të vërtetën, kur thua se Erion Veliaj ka munguar tre muaj në detyrë – e thonë ata që dëshmuan rrëmbimin tim nga zyra. Kjo tregon se në këtë vend ende sundon vullneti politik, jo ligji”, tha ai.
Në vijim të fjalës së tij, Veliaj tha se personi i vetëm që mund të ankohej për mungesën e tij do të ishte nëna dhe familja, pasi, siç tha ai, “djalin e kanë takuar më shumë në burg se në liri”.
“Që nga dita e parë kur u betova në vitin 2015, jeta ime është bërë njësh me këtë qytet. Tirana ka qenë familja ime e madhe. Nuk pretendoj se gjithçka e kam bërë mirë, por askush nuk mund të më akuzojë se s’kam qenë në krye të punëve të këtij qyteti. Kush thotë se kam munguar, ofendon inteligjencën e qytetarëve të Tiranës që e kanë parë punën time për 10 vite”, deklaroi ai.
Veliaj përfundoi me tone sfiduese, duke theksuar se, ndonëse mund të jetë burgosur, e vërteta nuk mund të mbyllet bashkë me të.
“Mund të burgosësh një njeri, por nuk mund të burgosësh të vërtetën e tij. Mosprezenca ime nuk ishte zgjedhje. Nuk zgjodha të vetë-internohem në burgun e Durrësit, por u imponova nga shteti. Ata donin të më shihnin me pranga në duar, e jo me lopatë në duar, siç më ka parë Tirana për një dekadë”.
Gjykata Kushtetuese, pritet të vendosë në ditët në vijim nëse do të pranojë ankesën e Veliajt, apo do të lërë në fuqi vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra si kryebashkiak i Tiranës.
 
			    
			    
			    
			    
			    
			    
			    
			    
						 
						 
						