Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj është thirrur nga SPAK për të dhënë shpjegime lidhur me hetimet që po zhvillohen mbi akuzën e korrupsionit.
SPAK ka kryer kontrolle në bizneset e Xoxës dhe të vëllait të Veliajt, si dhe ka sekuestruar telefonat e tyre.
Mëngjesin e 6 dhjetorit, oficerët e BKH-së trokitën në banesën e kryebashkiakut Erion Veliaj ku dhe bënë të mundur sekuestrimin e telefonit të bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës.
Më pas ata shkuan në banesën e vëllait të Veliajt, Arbër Veliajt si dhe te selia e galerisë “Harabel” në pronësi të bashkëshortes së të parit të Tiranës.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, efektivët përveç telefonit të Xoxës gjetën dhe sekuestruan dokumenta e materiale të ndryshme që kanë të bëjnë me hetimet e nisura lidhur me pasurinë e Veliajt dhe familjarëve të tij.
Avokatët e tyre menjëherë pas momentit të kontrolleve pretenduan se sekuestrimi i dokumentave të cilat nuk ishin të përpiluara në kërkesën e SPAK ishte në kundërshtim me ligjin.