Erion Veliaj bën bilancin e 100 ditëve të para në burg: Po më sulmojnë mua dhe familjen time, ndalimi im është i padrejtë

Me anë të një postimi në Facebook, kryebashkiaku i arrestuar i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka bërë dilancin e 100 ditëve të fundit që ka kaluar në burg.

Veliaj ka theksuar se burgosja e tij është pa asnjë justifikim të arsyeshëm. Gjithashtu, ai ka shtuar se është duke u penguar që të kryej detyrat e tij si kryetar i Bashkisë Tiranë.

“Shumë të dashur miq, Sot bëhen 100 ditë nga burgimi im pa asnjë justifikim të arsyeshëm. Ndalimi im i padrejtë dhe arbitrar vazhdon, megjithëse nuk jam akuzuar për asnjë vepër penale. Si pasojë, po pengohem forcërisht nga ushtrimi i detyrave të mia si Kryetar i zgjedhur, me votë masive 3 herë, i Bashkisë së Tiranës.

Vazhdimi i këtij paraburgimi nuk përbën vetëm një sulm ndaj meje dhe familjes sime, por është edhe një ndërhyrje e panevojshme dhe joproporcionale në përmbushjen e detyrave publike, që më janë besuar nga qytetarët e Tiranës. Pavarësisht burgimit mbetem i papërkulur. Çdo ditë që kalon, ma forcon edhe më shumë vendosmërinë.

Angazhimi im ndaj Tiranës, ndaj jush, ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe të ardhmes së Shqipërisë mbetet i palëkundur. Do të vazhdoj të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të siguruar lirimin tim, në mënyrë që të vazhdoj t’i shërbej qytetit tonë të mrekullueshëm si kryebashkiaku juaj. Me mall dhe dashuri për secilin prej jush!”, shkruan Veliaj.


Shtuar 20.05.2025 13:01