Ditën e sotme, deputeti Erion Braçe, ka ngritur shqetësimin për sistemin e TVSH-së, i cili sipas tij, po dëmton prodhimin vendas.
Në Komisionin e Ekonomisë, ai u shpreh se shumë përpunues po zgjedhin të blejnë produkte bujqësore jashtë Shqipërisë, pasi kjo rezulton më e leverdishme financiarisht sesa blerja nga prodhuesit vendas.
Sipas Braçe, situata ka arritur deri në atë pikë sa disa kompani po importojnë karota nga Turqia, pasi kostoja totale, duke përfshirë edhe transportin, doganën dhe TVSH del më e ulët se blerja në Divjakë.
“Më rregulloni TVSH-në mua si grumbullues. Më rregullon mua TVSH. Sepse s’kam asnjë interes të blej brenda vendit. E kuptoni që ka përpunues që po shkojnë po e marrin karotën, jo në Divjakë, po po e marrin në Turqi, se është më e lirë, se sa në Divjakë. E kuptoni këtë gjë? Bashkë me transportin brenda, bashkë me doganën e paguar bashkë edhe me TVSH e paguar në Doganë. Të gjitha bashkë, është më lirë se sa ta blesh në Divjakë karotën.
Pra janë dy gjëra komplet të ndryshme, të cilat nuk duhen ngatërruar, sepse kjo ngatërresë në harkun e pesë viteve, në harkun e pesë viteve, ka sjellë këtë pasuri që ne kemi sot. Kaq e thjeshtë është gjëja, dhe do ju lutesha shumë kur ja shpjegoni dhe udhëheqësve tuaj. Na dëgjo pak të lutem drejtoresh, kur ia shpjegoni këtë gjë dhe udhëheqësve tuaj. Do ju lutesha shumë të mos i ngatërroni kompensimin me normën e Tatimit mbi vlerën e shtuar në transaksionet brenda vendit. Mos i ngatërroni më! Se ndodh pastaj që shkon në Shkodër, dhe të çohet tjetri atje përballë, dhe të thotë: Po atë pse s’e bën? Dakord? Ja ky është problemi”,- është shprehur Braçe.
