Një 20-vjeçar shqiptar ka rënë në pranga në Britani, pasi është kapur brenda një ambienti të përshtatur si “shtëpi bari” në zonën e Workington.
Mediat britanike shkruajnë se ky është plantacioni i dytë i zbuluar në zonë në harkun kohor prej një jave, pasi ditë më parë u arrestuan 4 persona përgjegjës për mbi 200 bimë narkotike me vlerë rreth 400 mijë paundë.
Shqiptari i identifikuar si Din Truni ishte përgjegjësi i vetëm i ambientit. Brenda shtëpisë ishin vendosur të gjitha pajisjet e nevojshme për rritjen e bimëve si ngrohëse, drita dhe pleh kimik.
Policia gjithashtu gjeti dhe sekuestroi rreth 200 bimë kanabis me vlerë në rrugë nga 56 mijë deri në 177 mijë paundë.
Para gjykatës, Truni tregoi se kishte arritur në Britani para dy muajsh me anë të një gomoneje dhe se gjatë udhëtimit kishte humbur gjithçka. Ai tha se kjo ishte arsyeja që e shtyu të pranonte të kultivonte kanabisin.
20-vjeçari është dënuar me 8 muaj burg për rolin e tij në veprimtarinë e drogës dhe rrezikon kthimin në Shqipëri pas vuajtjes së dënimit. /albeu.com