Në një botë ku termi “influencer” shpesh lidhet me përmbajtje kalimtare, një vajzë e re po i jep një kuptim të ri këtij roli, duke e shndërruar platformën e saj në një mision për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Eralda Baze ka provuar dhe dokumentuar deri më tani 75 veshje tradicionale, duke sjellë në vëmendje thesare etnografike të harruara.
Baze shprehet se e gjitha nisi si një pasion i një grupi të vogël miqsh, pa formën e një shoqate zyrtare. Ky pasion me kalimin e kohës u transformua në një shqetësim dhe më pas në një “mision dhe detyrim qytetar e patriotik”, siç e përshkruan ajo vetë. Grupi i të rinjve ndjen përgjegjësinë për t’i dalë për zot kostumografisë popullore, me një fokus të veçantë tek linja e veshjeve të nuses shqiptare.
Puna e tyre shtrihet në të gjitha trevat shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë. Kjo zgjedhje nuk është e rastësishme. Sipas saj, historikisht, institucionet kulturore në Shqipëri nuk i kanë ekspozuar kurrë veshjet e trevave shqiptare jashtë kufirit, duke krijuar një boshllëk në njohjen e plotë të pasurisë etnografike kombëtare. Pikërisht për këtë arsye, në një nga daljet e saj mediatike, ajo zgjodhi të vishte kostumin monumental të Hasit, që i përket komunës së Prizrenit, për të sjellë në vëmendje këtë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë.
Por projekti i saj shkon përtej ekspozimit vizual. Çdo veshje shoqërohet me një kontekst të thellë historik dhe politiko-social. Ajo shprehet se nuk shfaqet thjesht si një modele, por si një rrëfimtare që zbulon historitë e fshehura pas çdo qëndisme dhe simboli. Një shembull konkret është shpjegimi praktik pas veshjes së Hasit, ku një pjesë e saj përdorej nga gratë për të mbajtur bucelat e ujit, për shkak të mungesës së ujit që kishte vuajtur historikisht kjo zonë.
Ajo shprehet se qasja e saj është shpesh edhe kritike, duke analizuar figura apo ngjarje historike që kanë ndikuar në fatin e kombit, apo duke folur për vende dhe objekte trashëgimie që janë shkatërruar, vjedhur apo tjetërsuar. Në këtë mënyrë, misioni i saj është i dyfishtë: të bëjë brezin e ri të dashurohet sërish me veshjet tradicionale dhe njëkohësisht, t’u ofrojë atyre përmbajtje dhe kontekst, duke i kthyer kostumet nga objekte muzeale në histori të gjalla.
