Erald Kapri: Mbrojtja që po i bëhet Ballukut, puç kushtetues, dosja e SPAK ndaj saj duhet të publikohet për interesin publik, ka bërë korrupsion galopant

Këtë të mërkurë, në një intervistë për News 24, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, shprehet se dosja e SPAK për Belinda Ballukun, të depozituar në Kuvend krahas kërkesës për autorizimin për arrestimin e saj, duhet të publikohet.

Ai kërkoi nga deputetët anëtarë të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, të njohur me dosjen, duhet ta publikojnë për interesin publik, në mënyrë që shqiptarët të njihen me korrupsion galopant të zëvendës kryeministres.

Ai ngriti pyetjen se si ka mundësi që dosja e Ballukut nuk publikohet ndërkohë që e AKSHI-t u bë publike.

“Për sa kohë që kuvendi nuk shprehet që brenda dy javësh të niste nga puna që të shprehej në seancë për votimin e mandatit, kemi të bëjmë me puç kushtetues nga kryeministri për ta zvarritur këtë çështje që të fitojë kohë në betejën me drejtësinë pë të mbrojtur veten e vet politikisht. Duke marrë edhe deputetet e tjerë të opozitës që pavarësisht se kanë kërkuar të mblidhet Këshilli, ka mbetur vetëm një gjë që dosja që ka ardhur në Kuvend të publikohet sepse është interes publik.

Ne na shqetëson shumë se si ka mundësi që dosja e Ballukut nuk publikohet. E AKSHI-t u publikua. Shqiptarët panë se bota e krimit kishte marrë këtë institucion. Këtu bëhet fjalë për një shpërdorim 1.2 miliardë euro deri tani dhe nuk na bëhet e ditur asgjë”, u shpreh ai.

Më tej, Kapri shtoi se kryeministri Edi Rama po bën “puç kushtetues” me mbrojtjen që po i bën Belinda Ballukut, duke përdorur Kuvendin dhe duke shtyrë sa më shumë kërkesën e SPAK për t’i hequr imunitetin zëvendës kryeministres së marrë të pandehur për shkelje të barazisë në tendera.

Sipas tij, përmes drejtësisë, do të vijë edhe rrëzimi i kryeministrit Rama.


Shtuar 7.01.2026 15:20