Enrique Iglesias dhe Anna Kournikova bëhen prindër për herë të katërt

Familja e Enrique Iglesias dhe Anna Kournikova është zgjeruar edhe një herë. Këngëtari i njohur, 50 vjeç, dhe ish-tenistja profesioniste, 44 vjeçe, kanë mirëpritur fëmijën e tyre të katërt të mërkurën, më 17 dhjetor. Lajmi i bukur u nda me publikun përmes një postimi të përbashkët në Instagram, të publikuar të hënën, më 22 dhjetor.

Çifti publikoi një foto të ëmbël të të porsalindurit, të mbështjellë me një batanije dhe me një kapele spitali, ndërsa qëndronte pranë një lodre pellushi. “My Sunshine 12.17.2025”, shkruanin ata në përshkrimin e fotos, pa zbuluar ende emrin apo gjininë e foshnjës.

Fëmija i katërt i bashkohet binjakëve Lucy dhe Nicholas, të dy 8 vjeç, si dhe vajzës së tyre Mary, 5 vjeçe. Një burim për revistën PEOPLE kishte zbuluar që në muajin gusht se çifti, i cili është bashkë që nga viti 2001, po priste një tjetër fëmijë. Sipas burimit, Anna dhe Enrique janë shumë të lumtur që po bëhen prindër sërish dhe e shijojnë plotësisht procesin e rritjes së fëmijëve.

Po ashtu, thuhet se Iglesias ka reduktuar turnetë e tij muzikore për të kaluar më shumë kohë me familjen, pasi roli i babait është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të.

Çifti u njoh për herë të parë në xhirimet e klipit “Escape” dhe që atëherë kanë ndërtuar një jetë familjare të qetë dhe të lumtur, larg vëmendjes së tepërt mediatike.


Shtuar 23.12.2025 11:18