GJKKO firmosi arrestin, por enigmë mbetet vendndodhja e Alqi Bllakos pasi dyshohet se është larguar.
Vendimi është marrë nga GJKKO në orën 16.30. Policia ka marrë vendimin e zbardhur dhe më pas është nisur ta zbatojë.
Burime të Abc nga policia konfirmojnë se Bllako nuk është gjetur në disa nga adresat e dhëna.
Ndërkohë Bllako nuk është paraqitur as në Kuvend personalisht për të dorëzuar mandatin.
Paksa provokues duket edhe një story i mëvonshëm i avokatit të tij i cili shkruan: “Ciao, përqafime”.
Për çfarë akuzohet
Zoti Bllako, akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”. Sipas Prokurorisë së posaçme ai, në bashkëpunim me ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe një tjetër zyrtar të Ministrisë, ku ai ka patur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.
Po ashtu ai dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë, të cilat kanë shkuar në formën e pagesave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar pranë inceneratorit të Tiranës.
Kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e tij, ishte pjesë e 14 urdhërave të tjerë të arrestit ndaj funksionarëve lokalë dhe anëtarëve të Komisioneve të Koncensionit për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, përfshirë për herë të dytë ish ministrin Koka dhe sipërmarrësin Klodian Zoto, që zotëronte 70 përqind të aksioneve në inceneratorin e Fierit. /albeu.com/