Kushti për ndryshimet kushtetuese i vendosur në kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në, sipas të ashtuquajturit propozimi francez, për hapjen e plotë të procesit të negociatave, në opinionin maqedonas po pritet me shumë kuriozitet. Ideja e ndryshimeve kushtetuese është përfshirja e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, pa asnjë detyrim reciprociteti nga ana bullgare për njohjen e pakicës maqedonase në atë vend.
Kovaçecvski: VMRO dhe E Majta bllokojnë procesin
Qeveria dëshmon se nuk posedon dhe nuk di se si do t’i sigurojë 2/3 e votave të nevojshme për ndryshimet kushtetuese. Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë, se ndryshimi i aktit më të lartë juridik është përgjegjësi e çdo deputeti. I pari i qeverisë tha, se vendi ka hapur negociatat, por me përfshirjen e bullgarëve në preambul, hapen zyrtarisht kapitujt me BE-në.
“Ai është detyrim i çdo deputeti, sepse kanë detyrim para qytetarëve për të ardhmen evropiane të shtetit dhe qytetarëve që jetojnë këtu. Për këtë edhe ekziston diskutimi në kuvend, i cili duhet të jetë i bazuar në argumente, në fakte dhe mbi gjitha në perspektivën e shtetit. Asnjë parti politike nuk guxon që këto çështje t’i përdorë për interesa të ngushta partiake”, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski.
VMRO-DPMNE për momentin nuk i përkrah ndryshimet në Kushtetutë
VMRO-DPMNE-ja vlerëson, se kryeministri me qëndrimin e tij ka konfirmuar se nuk ka deputetë, që do t’i tradhtojnë interesat maqedonase në favor të kërkesave të pakicës bullgare.
“Oferta për Kovaçevskin është e hapur: Nëse Kovaçevski beson se ka shumicë prej 2/3 në kuvend për ta ndryshuar Kushtetutën, atëherë le të urdhërojë dhe t’i propozojë ndryshimet. Nëse nuk ka shumicë le të japë dorëheqje dhe Maqedonia të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, njoftojnë nga VMRO-DPMNE.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, thotë se është shumë e vështirë të arrihet shumicë e dy të tretave për ndryshimet kushtetuese në këtë përbërje parlamentare. Pendarovski është shprehur skeptik se opozita aktuale në kuvend ka disponim për të votuar ndryshimet kushtetuese. Pendarovski konsideron se qëndrimi i opozitës është i imponuar nga logjika e brendshme partiake. Sipas tij, në dokumentet e nënshkruara deri më tani me Bullgarinë nuk ka rrezik për identitetin dhe gjuhën maqedonase.
“Vlerësimi im është se do të jetë shumë e vështirë të arrijmë dy të tretat në këtë përbërje parlamentare, pasi me sa mund të gjykoj unë, opozita në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut e lexon marrëveshjen me Bullgarinë, përkatësisht kornizën negociuese me BE-në, përmes dioptrisë partiake”, vlerëson presidenti Stevo Pendarovski.
Profesorët e së drejtës kushtetuese pesimit për ndryshimet kushtetuese
Profesori i së drejtës kushtetuese Svetomir Shkariq shpreh dyshimin për shpejtësinë e realizimit të amendamenteve kushtetuese të kërkuara, por edhe efikasitetin e zgjidhjes që do të pasojë.
“Fakti që opozita nxiton dhe i thotë qeverisë që të paraqesë propozimin për amendamentet kushtetuese në kuvend, ndërsa thotë se nuk do të votojë për amendamentet, nuk është zgjidhje e përhershme që do të kapërcejë sfidën që i është vënë Maqedonisë së Veriut si kusht fillestar i negociatave me BE-në. Është e paqartë se çfarë zhvillimi politik në Maqedoninë e Veriut do të nxisë përpjekjet për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese”, thotë profesor Shkariq.
Mosvotimi i mundshëm i një propozimi në rastin konkret të ndryshimeve kushtetuese për futjen e pakicave të reja në preambul (me theks të fortë te bullgarët), mjafton për të evidentuar dhe legjitimuar mospranimin e zgjidhjeve të imponuara nga publiku për atë çështje, thotë profesorja e së drejtës kushtetuese në Fakultetin Juridik në Shkup, Tatjana Karakamisheva-Jovanovska.
“Nuk besoj se qeveria do të hapë procedurën e ndryshimeve kushtetuese në parlament, derisa të sigurohet që të ketë votat e nevojshme për miratimin e tyre. Pavarësisht sfidës që i dërgon opozita. Përveç kësaj, edhe nëse hapet procedura, nuk ka afate se kur duhet të përfundojë. Afati i vetëm që ekziston në procedurën për ndryshime kushtetuese lidhet me fillimin dhe kohëzgjatjen e dëgjesës publike”, vlerëson Karakamisheva./DW/