Energjia, çmimi në tetor gati trefish për bizneset në treg të lirë

Çmimet e energjisë në muajin tetor gati u trefishuan në tregun e lirë.

Enti Rregullator i Energjisë miratoi një çmim rreth 33 lekë për kwh për llogari të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (pjesë e OSHEE Group), tarifë e cila shërben për të llogaritur faturat për ata që janë furnizohen nga kompania publike me çmime tregu pasi ende nuk kanë një furnizues privat.

Tarifa e tetorit është një rekord i ri sa i takon çmimeve të energjisë në vend kur kompanitë publike dhanë alarmin se nuk ishte më çështje shtrenjtimi por mungese energjie në treg. Qysh nga nisja e procesit të liberalizmit të tregut të energjisë në shkurt 2018 ky është çmimi më i lartë me të cilën u sigurua energjia ndërkohë që më herët muaji me çmimin më të kripur ishte janari 2019 me një tarifë prej 18.73 lekë/kwh.

Teksa edhe atëherë shkak për këtë çmim u bë situata jo e mirë hidrike panorama ishte krejt tjetër në nivel rajonal dhe global pasi nuk kishim të bënim me një krizë të përgjithshme energjie sikurse kemi të bëjmë tani. Kriza globale e energjisë u krijua nga një sërë faktorësh duke nisur nga rritja e konsumit si pjesë e rimëkëmbjes post-pandemike, rënia e prodhimit të qymyrit dhe nxjerrja jashtë funksioni e disa termocentraleve si pjesë e politikave në disa vende, futja e certifikatave të gjelbra më kosto më të larta energjie, prodhimi i ulët i energjisë eolike në 50 vite, shtrenjtimi i gazit. Në Shqipëri vitet hidrike jo të mira kanë ndodhur edhe më herët por çmimet në bursë nuk kishin qenë asnjëherë në nivele aktuale. Ndaj deri më 15 prill 2022 vendi është në emergjencë të furnizimit me energji dhe kompania e gjenerimit dhe ajo e shpërndarjes po rakordojnë nevojën për energji dhe plotësimin e konsumit në mënyrë ditore.

Nga 1 janari 7358 biznese do të blejnë më shtrenjtë

Bizneset ditëve të fundit janë alarmuar pas njoftimit që kanë marrë nga autoritetet se nga 1 janari 2022 do të duhet ta sigurojnë të vetëm energjinë. Bëhet fjalë për grupin që janë të lidhur kryesisht në 20 kilovolt që deri më tani e kanë marrë këtë energji nga OSHEE me një çmim 11 lekë/kwh dhe 12.65 lekë/kwh në pik. Çmimi aktual i tetorit me të cilën FMF (që do të furnizojë ato biznese që nuk gjejnë furnizues privat për dy vjet) është gati tre herë më i lartë se çmimi me të cilën ata paguajnë sot energjinë në tregun e rregulluar. Rritja e kostove në mënyrë të tillë pritet të vërë bizneset në pozitë mbijetese në disa raste në kushtet kur edhe segmente të tjera të aktivitetit të tyre janë shtrenjtuar. Barra finale pritet që të bjerë mbi konsumatorin i cili paguan kostot në çmimin final. Numri i bizneseve që pritet të dalin në treg të lirë nga janari 2022 është 7358 ndërkohë që Enti Rregullator i Energjisë njoftoi se janë të paktën 26 furnizues të licencuar në treg me të cilët mund të lidhen kontrata.

Rënia e reshjeve përgjatë dy javëve në vend krijoi një lloj përmirësimi hidrik dhe përqendroi prodhimin dhe konsumin në vend por OSHEE do të duhet që të vazhdojë importet edhe në vazhdim për të plotësuar nevojat.

Ndërkohë çmimet në Bursën eHungarisë janë ende në nivele të “çmendura. Për datën 22 një 1MW energji u shit mesatarisht me 420 euro ndërkohë që në pik 475 euro ndërkohë që për datën 21 çmimi në pik ishte 515 euro/MWh. /Monitor