Misioni Euro 2024 vazhdon dhe besimi për realizimin e ëndrrës së madhe sa vjen e shtohet në kampin kuqezi, me djemtë e Sylvinhos që do të sfidojnë sonte në orën 20:45 Çekinë në “Fortuna Arena”, për të hedhur një tjetër hap drejt Europianit të Gjermanisë.
Shqipëria luan një pjesë të mirë të fatit të saj në Pragë sonte dhe në Tiranë ndaj Polonise tri ditë më vonë, çka ë bën edhe më të rëndësishme transfertën çeke.
E kanë të qartë këtë kuqezinjtë e Sylvinhos, që janë përgatitur maksimalisht për të bërë një performancë dinjitoze në “Fortuna Arena”, përballje të cilën do të mund ta ndiqni live dhe ekskluzivisht në ekranin e SuperSport…
Futbollistët e Shqipërisë kryen stërvitjen e fundit në prag të takimit ndaj kryesuesve të grupit E, në ambientet e stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja, “Fortuna Arena”.
Në seancën e drejtuar nga trajneri Sylvinho dominoi klima pozitive. Teksa lojtarët u shfaqën shumë të qetë në prag të një ndeshjeje që mund të jetë shumë domethënëse për fatet e rrugëtimit kuqezi në eliminatoret e Euro 2024.
Supersport ka mësuar edhe formacionin e mundshëm që do të aplikojë Sylvinho për përballjen ndaj Çekisë. Bëhet fjalë për një formacion 4-3-3. Dhe pavarësisht shumë sugjerimeve të reja në ditët e fundit rezulton se tekniku brazilian do të hedhë në fushën e lojës të njëjtët lojtarë si në ndeshjen ndaj Ishujve Faroe. Sfidë e fituar me rezultatin 3-1 nga Shqipëria.
Në këtë mënyrë, për ndeshjen ndaj Republikës Çeke, pritet që Etrit Berisha ta nisë nga minuta e parë në portë. 34-vjecari vjen pas një momenti të mirë, pasi të dielën luajti si titullar me Empolin ndaj Juventusit. Ku priti edhe një penallti. Në repartin e mbrojtjes do të jenë të vendosur, Elseid Hysaj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti dhe Mario Mitaj.
Mesfusha do t’i besohet Ylber Ramadanit, i cili ka bërë paraqitje mjaft të mira me Leccen. Si dhe Kristjan Asllanit dhe Nedim Bajramit. Ndërkohë që edhe sulmi do të jetë i njëjtë si në Torshavn. Me Taulant Seferin dhe Jasir Asanin nga krahët, dhe Sokol Cikalleshin në qendër si pikë referimi.
Dilema e madhe për Sylvinhon mbetet krahu i majtë i sulmit. Pasi Myrto Uzuni është në balotazh me Seferin për vendin e titullarit. Gjithsesi situata do të vlerësohet deri në fund nga trajneri. Dhe më pas do të vendoset se cili nga lojtarët do të startojë nga minuta e parë./supersport