EMRI+VIDEO/ Në kërkim ndërkombëtar në Itali për trafik droge, arrestohet në Durrës 45-vjeçarja

Një 45-vjeçare e shpallur në kërkim, e akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike, është arrestuar në Durrës.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit

Finalizohet një tjetër operacion nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

“Operacionalja 19” çon në pranga një 45-vjeçare, e akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike.

Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore për vendndodhjen e një shtetaseje të shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të Italisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 19”, kapi në qytetin e Durrësit dhe vuri në pranga, me qëllim ekstradimi, shtetasen disnarda alias Edisnajda Shapka, 45 vjeçe, lindur dhe banuese në Durrës.

Gjykata e Bolonjës i ka caktuar kësaj shtetaseje masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për ta ekstraduar këtë shtetase në Itali.

 


Shtuar 13.10.2024 10:05