EMRI/ “Zyrtari i lartë” i mori biznesmenit 70 000 euro, arrestohet

Një 52-vjeçar është arrestuar këtë të martë në Shkodër, pasi akuzohet se mashtroi një biznesmen përmes rrjeteve sociale për t’i vjedhur 70 mijë euro.

Policia bën me dije se në pranga ka rënë shtetasi Shpëtim Hida, banues në Tiranë, ndërsa janë sekuestruar 70 mijë euro.

52-vjeçari përdorte rrjetet sociale për t’iu kërkuar shuma të mëdha parash biznesmenëve, pasi iu prezantohej atyre si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror.

Hida prezantohej si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror.

Njoftimi i Policisë

Njësia “E” për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, falë rritjes së besimit të qytetarëve, për të denoncuar pranë strukturave policore, raste të veprimtarisë kriminale me qëllim përfitimin e vlerave monetare, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, ka organizuar dhe finalizuar me sukses një tjetër operacion për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë operacionit policor të koduar “Arkitekti”, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin Shpëtim Hida 52 vjeç, banues në Tiranë, gjatë kohës që po i merrte shumën 70 000 euro, një shtetasi (biznesmen), të cilin e kishte mashtruar në komunikimet në rrjetet sociale, duke iu prezatuar si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror. Shuma 70 000 euro u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një automjet dhe një aparat celular.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 52-vjeçari ka mashtruar edhe shtetas të tjerë, në komunikimet në rrjetet sociale, duke i kërkuar para atyre, pasi iu prezantohej si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror.

Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Mashtrimi”.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët, për rritjen e besimit për të denoncuar në strukturat policore, raste të tilla, por dhe raste të tjera të paligjshmërive, në të gjitha fushat që ato shfaqen.

Policia e Shtetit fton qytetarët, operatorët ekonomikë në shkallë vendi dhe të dëmtuarit e tjerë, në rast se kanë dijeni apo dyshojnë për veprimtari kriminale të kësaj natyre, që ta denoncojnë atë pa hezituar, në strukturat policore në të gjithë vendin, duke i garantuar se Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet në burime njerëzore dhe operacionale, që të ndëshkojë cilindo që implikohet në këtë veprimtari krininale dhe në çdo paligjshmëri tjetër.