Ka përfunduar procesi zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Elbasan.
Në përfundim të numërimit të votave, Alis Narazani është shpallur fitues me 477 vota, duke marrë kështu drejtimin e degës së Partisë Demokratike në Elbasan.
Të lidhura
Një figurë e re në politikë dhe ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2025, Narazani arriti të sigurojë mbështetjen më të madhe me një platformë të fokusuar në rikthimin e besimit të qytetarëve dhe ringritjen e vlerave të së djathtës.
Pas tij renditet Sokol Shkëlzeni me 319 vota, aktualisht sekretar politik i PD-së në Elbasan, i cili zhvilloi një garë të fortë duke u mbështetur në eksperiencën e tij të gjatë në strukturat e partisë.
Ndërsa Durim Çekrezi, kryetari i komanduar i degës, mori 249 vota, duke synuar vijimësinë dhe konsolidimin e strukturave ekzistuese.
Në këtë garë morën pjesë gjithashtu edhe Elior Vila, pedagog, i cili siguroi 88 vota, me një platformë për hapje dhe transparencë më të madhe të partisë, si dhe Lumturi Hasa, mjeke dhe ish-kandidate për deputete, e vetmja grua në këtë garë, që mori 66 vota, duke theksuar përfshirjen e të rinjve dhe grave në politikë.
Selia blu i përgjigjet dhe pretendimeve të Doris Madhit
Deklaratë e Degës së Partisë Demokratike Elbasan
Në lidhje me reagimin e znj. Doris Madhi, sqarojmë opinionin publik se:
* Znj. Doris Madhi nuk ka qenë e përfshirë në fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit në krah të Partisë Demokratike.
* Ajo është angazhuar maksimalisht në krah të subjektit politik Partia Socialdemokrate (PSD), duke bërë thirrje publike në rrjetet sociale që demokratët të votonin kandidatin e PSD për qarkun e Elbasanit.
* Gjatë procesit të numërimit të votave në Prrenjas, znj. Madhi ka qenë e angazhuar si vëzhguese e PSD.
Në zbatim të Udhëzimit nr. 01, datë 20.01.2026 dhe në përputhje me Statutin e Partisë Demokratike, kryesia e degës së PD Elbasan ka marrë vendim unanim për largimin e saj nga listat e anëtarësisë, për shkak të shkeljeve të rënda në veprimtarinë e saj si anëtare e PD-së.
Ky vendim është i bazuar në parimet e transparencës dhe respektimit të rregullave statutore, dhe bëhet publik për të sqaruar qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë demokratët.

