Ditën e sotme, uniformat blu, kanë vënë në pranga një 38-vjeҫar, pasi dyshohet se në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, ka vjedhur nga shtëpia e vëllait të tij një shumë parash prej 17 mijë eurosh.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti i shtetasit E. M., të cilin ky shtetas dyshohet se e ka blerë me paratë e vjedhura.
Njoftimi i policisë:
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një hetimi disamujor, me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Bathës”.
Si rezultat i këtij operacioni u kap dhe u vu në pranga shtetasi Elton Muça, 38 vjeç, banues në fshatin Bathës, në zbatim të urdhrit të ndalimit nga Prokurori, për veprën penale “Vjedhja”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen K. M., 37 vjeçe (bashkëshortja e shtetasit E. M.).
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, më 23.04.2023, kanë vjedhur 17 000 euro në banesën e shtetasit M. M., në fshatin Bathës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti i shtetasit E. M., të cilin ky shtetas dyshohet se e ka blerë me paratë e vjedhura.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.