Pak minuta më parë ka ndodhur një përplasje në lagjen Guerriles në Shkodër, ku për pasojë ka mbetur i vrarë shtetasi Ismet Çekorja.
4 ditë më parë, viktima kishte folur për mediet për të mbrojtur djalin e tij, Bajram Çekorja, i cili është shpallur në kërkim për atentatin që iu bë më 25 gusht, Alban Bruçit. Alban Bruçi i shpëtoi për mrekulli plumbave atë mbrëmje.
Ismet Çekorja ka thënë tre ditë më parë se djali i tij mbrëmjen e 25 gushtit në orën kur ka ndodhur atentati ndodhej në një mjedis të monitoruar nga kamerat e sigurisë gjë e cila hedh poshtë sipas tij akuzat e policisë.
Viktima nuk kishte kursyer as kritikat për policinë e Shkodrës. Ai thoshte se që prej tri vitesh policia e Shkodrës i është vënë nga pas djalit dhe familjes së tij pasi për çdo ngjarje kriminale banesa e tyre rrethohet nga policia.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/Informacion paraprak
Në lagjen “Guerrile”, në Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi I. Ç., 57 vjeç, banues në lagjen “Guerrile”, Shkodër, i cili më pas ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën në vendngjarje, për sqarimin e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet, me pika kontrolli në zonën përreth, me qëllim kapjen e autorit/ëve./albeu.com