EMRI/ U plagos gjatë aksidentit në rrugën Korçë-Maliq, ndërron jetë në spital punonjësi i Policisë së Burgut të Drenovës

Pak orë pas aksidentit të rëndë të ndodhur në rrugën Korçë-Maliq pasditen e sotme (18 mars), ka ndërruar jetë në spital shoferi i një prej mjeteve që u karamboluan.

Viktima është Krenar Çekiçi, 45 vjeç, i cili nuk mundi t’i mbijetonte dot plagëve. I ndjeri është punonjës i Policisë së Burgut të Drenovës.

Megjithë ndihmën e dhënë nga bluzat e bardha të spitalit të Korçës, ai nuk mundi të mbijetonte dot.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 në Lumalas. Drejtuesi i mjetit tjetër është shoqëruar dhe marrë nën hetim nga policia vendore.

“Rreth orës 13:30, në aksin rrugor Korçë-Maliq, pranë fshatit Lumalas, Korçë, automjeti me drejtues shtetasin K. G., është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin K. Ç., i cili për pasojë, është lënduar dhe u dërgua për mjekim në spitalin e Korçës. Me drejtuesin tjetër, shtetasin K. G., po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë vendore.


Shtuar 18.03.2026 17:23