EMRI/ U kap i armatosur deri në dhëmbë, flet 35-vjeçari: Do të vrisja politikanët (FOTO LAJM)

Antonio Leka është 35-vjeçari që u arrestua mbrëmjen e sotme nga policia e Lezhës.

Kujtojmë se ai u kap në flagrancë teksa ishte i veshur me rroba ushtarake dhe me jelek anti-plumb. Gjithashtu në mjet iu gjet një armë e mbushur me fishekë dhe municion.

Mësohet se Leka, nuk ka shfaqur rezistencë ndaj punonjësve të policisë në momentin që është arrestuar.

Kur është pyetur se çfarë kishte në plan të bënte, Leka është shprehur se qëllimi i tij, ishte të ekzekutonte politikanët.

“…do vras politikanët e Lezhës, dhe të zhduk farën e keqe të tyre…”  ka pohuar Leka.

Njoftimi i policisë:

Sekuestrohen arsenal armësh, municion luftarak, dylbi, antiplumb, helmetë, thikë, lëndë narkotike, rroba kamuflazhi ushtarake dhe sende të tjera.

Arrestohet në flagrancë 36-vjeçari që i mbante në automjet ndërkohë që qarkullonte në qytetin e Lezhës.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe nga familjarët e një 36-vjeçari që po qarkullonte në qytetin e Lezhës, me një automjet në të cilin mbante armë zjarri të llojeve të ndryshme, me të cilat kishte paralajmëruar se do kryente një krim të rëndë, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Lavazhi” duke angazhuar shërbime të shumta policie.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– A. L. 36 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Përgatitja e kushteve për vrasje”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri pistoletë me 5 karikatorë, 1 automatik me 5 karikatorë, 550 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 1 palë dylbi, 1 antiplumb ushtarak, 1 thikë, 1 çantë ushtarake, 75 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe rroba kamuflazhi.

Për shkak të sekretit hetimor, duke qenë se ngjarja është në hetim, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me motivet dhe objektivin e synuar nga i arrestuari.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Shtuar 9.01.2023 21:01