Është vënë në pranga 44-vjeçari Admir Lala, drejtues teknik i kompanisë kur për shkak të shembjes së një masivi kromi në Klos është zhdukur një 29-vjeçar, i cili u zu poshtë bashkë me një fadromë.
Sipas policisë, 29-vjeçari më iniciale A.B., nuk është gjetur që prej ditës së djeshme.
I riu ishte duke punuar me mjetin fadromë, kur u zu poshtë nga masivi i rërës dhe mineralit.
Nga shembja e masivit është çarë edhe një rezervuar uji.
Ndërkohë mësohet se fabrika në të cilën përpunohej kromi ishte marrë me qira dy shtetas kinezë.
Njoftimi i policisë
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e djeshme në Qafën e Burrelit, në fabrikën e përpunimit të kromit, ku shtetasi A.B., 29 vjeç, duke punuar me mjetin fadromë, u zu poshtë nga një masiv rëre dhe minerali, dhe për pasojë ende nuk është gjetur, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Postës së Policisë Klos arrestuan në flagrancë shtetasin Admir Lala, 44 vjeç, banues në Klos, me detyrë drejtues teknik i shoqërisë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë dhe ekipi i kërkim-shpëtimit po vijojnë intensivisht punën për gjetjen e shtetasit A.B.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.