Një 39-vjeçar u arrestua në Tiranë, pasi akuzohet se ka mashtruar biznesmenë të ndryshëm dhe u ka zhvatur atyre para duke u prezantuar si zyrtar i lartë dhe duke u premtuar tendera.
Indrit Aliu, ra në pranga pas verifikimeve të kryera, teksa ai ka qenë i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Ai ka zhvatur më parë 4 milionë euro dhe më pas është larguar nga vendi.
Në rastin e parë kur Aliuu dënua, ai akuzohej se kishte mashtruar 9 individë dhe shoqëri të ndryshme.
Ai u hetua për rolin e tij në ndërtimin dhe rikonstruksionin e disa shkollave dhe rrugëve në Tiranë e Elbasan.
Gjatë aktivitetit të tij, Aliu ka nënshkruar kontrata, duke futur në veprim kompanitë që harxhonin paratë e tyre me premtimin se do likuidoheshin. Por, pas kryerjes së punimeve, i dyshuari zhdukej duke shkaktuar humbje të mëdha financiare për biznesmenët që i kishin besuar.
Disa nga të dëmtuarit e Indrit Aliut pohonin se ai zhvillonte takime të ndryshme në organet e pushtetit lokal dhe në ministri, duke premtuar tenderë dhe aktivitete të tjera për biznesmenët në këmbim të përfitimeve të paligjshme ndaj tyre.
Njoftimi i policisë për arrestimin:
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “The eye”.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Rinas, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Përvetësoi shuma të konsiderueshme parash, nëpërmjet mashtrimit, duke u premtuar tendera, biznesmenëve të ndryshëm, vihet në pranga një 39-vjeçar.
Sekuestrohen 2 aparate celulare, kontrata dhe dokumente të ndryshme, të cilat i arrestuari i përdorte për skemën e tij të mashtrimit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Rinas, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “The eye”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit I. A. (K)., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, nga biznesmenë të ndryshëm, duke u prezantuar si zyrtar i lartë në institucione, dhe në këmbim të shumave monetare, iu ka premtuar atyre tendera të ndryshëm.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celulare, kontrata dhe dokumente të ndryshme të cilat autori i dyshuar i përdorte për skemën e tij të mashtrimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.