Emri/ Në kërkim për plagosje prej dy vitesh, vihet në pranga 34-vjeçari në Sarandë

Në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, policia e Sarandës ka vënë në pranga 34-vjeçarin Erjon Canaj, i cili ishte shpallur në kërkim prej dy vitesh për plagosje.

Sakaq, gjatë kontrollit në banesën ku fshihej ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën 2 armë zjarri pistoleta dhe 3 krehra me municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, i cili dyshohej se posedonte dhe armë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Befasia”.

Si rezultat i këtij operacioni, u ndalua shtetasi Erjon Canaj., 34 vjeç, banues në Sarandë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me vendimin e datës 19.12.2022, i ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” sepse dyshohet se më datë 15.12.2022, në lagjen nr. 3, para spitalit të Sarandës, ka goditur disa herë me grushte rojën e këtij spitali, për motive të dobëta.

Gjatë kontrollit në banesën ku fshihej ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën 2 armë zjarri pistoleta dhe 3 krehra me municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.