EMRI/ Mori rryshfet, arrestohet me urdhër të SPAK drejtori i IKMT-së në Dibër

Në kuadër të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e  korrupsionit, Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK), finalizuan me sukses operacionin policor “Bankomati”, si rezultat i të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:  Lutfi Miftari., 56 vjeç, , banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i IKMT-së në qarkun e Dibrës.  Eljo Elezi, 34 vjeç,  banues në Tiranë, adminstrator i një kompanie që operon në fushën minerare në qarkun Dibër.

Arrestimi i këtyre personave u bë pasi Lutfi Miftari,  në cilësinë e Drejtorit të IKMT, në Qarkun e Dibrës, ka abuzuar me detyrën duke marrë ryshfet nga shtetasi Eljo Elezi, adminstratori i kompanisë , shumën prej 50.000 lekë të rinj, për të mos filluar procedurën për shkeljen e konstatuar tek ky subjekt nga grupi i kontrollit për mungesën e dokumentacionit, si lejen mjedisore e dokumente të tjera.

Në cilësinë e provës materiale shtetasit  Lutfi  Miftari, iu sekuestruan 50.000 lekë të rinj të cilat ja kishte dhënë shtetasi Eljo Elezi.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Lutfi Miftari, policia gjeti dhe sekuestroi  në cilësinë e provës materiale 29.500 Euro, 1300 Dollarë dhe 896.000 lekë të rinj.

Materialet proçeduriale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.


Shtuar 10.09.2021 16:04