Kreu i Hetimit Tatimor, Anton Martini ka mohuar çdo përfshirje dhe akuzë lidhur me çështjen e hakerimit të SPAK.
Në një reagim ai ka deklaruar se nuk ka marrë, lexuar apo shpërndarë asnjë material të paligjshëm.
I përfshirë në dosjen hetimore që lidhet me grupin e komunikimit në WhatsApp, Martini i ka cilësuar akuzat ndaj tij si krejtësisht dashakeqe, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë rol në qarkullimin e materialeve të hakeruara, ku të pandehur janë Gëzim Ismaili, Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj.
“Asnjë material nuk më ka ardhur. Asnjë material nuk kam lexuar, asnjë material nuk kam shpërndarë. Janë krejtësisht dashakeqe”, shprehet ai.
Sipas raportimeve nga gazetarja Klodiana Lala, në këtë grup zyrtarësh në WhatsApp ishin të përfshirë:
Sokol Ngresi – Anëtar i Gjykatës së Lartë nga Vlora mik me Agim Ismailin prej vitesh.
Anton Martini – Drejtor i Hetimit Tatimor (nga e njëjta zonë me Agim Ismailin).
Dritan Palnikaj – Sekretar i Përgjithshëm në MBU (nipi i Agimit).
Ermal Kënaçi – Shef i komisariatit nr.2 në Tiranë (Ish-shef sektori në SHKKB, i shkarkuar).
Melsi Beli – Punon në AKSHI (Lidhje e Agim Ismailit pasi e ka pas vartës te burgjet) larguar nga detyra.
Blerina Hoxha – Punon në AKSH (Lidhje e Melsi Belit).
Jonida Baçi– ish-drejtoreshë e ATP e shkarkuar nga detyra (nga hetimi del lidhje miqësie me Agim Ismailin).
Ylli Gaxholli– ish- punonjës në ATP i shkarkuar (Agjencinë e Pronave) lidhje e vjetër e Agim Ismailit dhe Jonida Baçit ish-drejtoreshë e ATP.
Maltin Malaj – ish -drejtor në DPB tek prokurimet me Admir Arbrin, drejtor i Burgjeve.
