Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Qerret, në Durrës, ku një burrë i identifikuar si Ardian Varrosi ka kërcënuar vajzën e tij me thikë, në gjendje të dehur.
Sipas informacioneve paraprake, ai dyshohet se e kishte dhunuar edhe më herët vajzën brenda banesës. E reja ka mundur të shpëtojë nga situata, ndërsa babai, me thikë në dorë, ka hyrë në një banesë pranë shtëpisë së tij duke kërcënuar edhe fqinjët.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të patrullës së rendit, e cila ndodhej me shërbim në zonë, është shmangur përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës.
Gjatë ndërhyrjes, autori ka goditur veten me mjetin prerës në pjesën e qafës. Ai është transportuar me urgjencë në spital nga efektivët e policisë, të cilët kanë arritur të parandalojnë plagosje të tjera që mund t’i shkaktonte vetes.
Burime nga spitali i Durrësit bëjnë me dije se gjendja e tij paraqitet e rëndë dhe po mbahet nën monitorim nga stafi mjekësor.
Ndërkohë, policia ka ngritur një grup hetimor për të dokumentuar dhe zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.
