Është arrestuar nga policia e Kukësit 52-vjeçari Flamur Aliaj, I cili ishte shpallur në kërkim që prej korrikut të vitit 2022, pasi bashkë me të vëllain akuzoheshin për posedim eksplozivi dhe trafik droge.
“Si rezultat i kontrolleve të mbështetura te informacionet nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin F. A., 52 vjeç, banues në fshatin Brekije.
52-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi akuzohet se posedonte bashkë me vëllanë e tij, shtetasin P. A. dhe me shtetasin F. K., të dy të arrestuar nga Policia, në kuadër të operacionit “Cooperation”, më datë 20 korrik 2022, 1 kilogram lëndë eksplozive, 6 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe sasi municioni luftarak, të cilat u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, ditën e operacionit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.